Friday 14 June 2024
Friday 14 June 2024

Policia e Malit të Zi ka përdorur gazin lotsjellës ndaj qytetarëve në Nikshiq dhe Plevle të Malit të Zi të cilët kundërshtonin arrestimin e disa priftërinjëve të Kishës Ortodokse Serbe.

 

Policia e Malit të Zi përmes një postimi në Twitter tha se gjatë përleshjeve janë plagosur 4 policë.

 

“Sonte, qytetarët u mblodhën në Plevle dhe në drejtim të policisë hodhën gurë, shishe qelqi dhe pajisje piroteknike. Si rezultat u plagosën 4 oficerë. Një veprim i shpejtë i policisë siguroi vendosjen e rregullit. Arrestimi i atyre që janë përgjegjës për këtë incident është duke u zhvilluar”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Tetë priftërinj në Mal të Zi mund të përballen me 12 vjet burgim për shkeljen e urdhrave të shëndetit publik, pasi drejtuan një liturgji të paligjshme, nëpër rrugët e qytetit të dytë më të madh të vendit, Nikshiq.

 

Mijëra besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, injoruan masën e ndalimit të tubimeve publike të cilën qeveria e ka vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe morën pjesë në një liturgji fetare për të shënuar Ditën e Shën Bazilit të Ostrogut.

 

Prokurorët thanë më 13 maj se tetë priftërinjtë mund të përballen me burgim nën akuzën e shkeljes së kufizimeve të pandemisë.

 

“Ata [priftërinjtë] akuzohen për veprën penale të shkeljes së rregullave shëndetësore në parandalimin e një sëmundjeje ngjitëse të rrezikshme,” tha prokurori Stevo Sekariq në një deklaratë.

 

Beogradi ka kritikuar ashpër arrestimin e tetë priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

 

Videot dhe fotografitë nga ceremonia tregonin se si shumica e pjesëmarrësve nuk mbanin maska në fytyrë dhe as distancën e duhur nga njëri tjetri.

 

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Patriarku ortodoks serb Irinej, thanë në një deklaratë të përbashkët se “shfaqin shpresën se arrestimet nuk do të shkaktojnë ndonjë “trazirë ose përleshje të padëshiruar”.

 

Vuçiq bëri thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës dhe një lirim të shpejtë të priftërinjve.

 

Irinej tha se ndalimet ishin “prova që shteti malazez po kryen një spastrim të Kishës Ortodokse Serbe”.

 

Arrestimet pasojnë tensionet e vazhdueshme midis autoriteteve pro-perëndimore të Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

 

Autoritetet pro-perëndimore të Malit të Zi e shohin Kishën Ortodokse Serbe si një mjet për të ndërhyrë në punët e brendshme të vendit nga ana e Serbisë, e cila ka mbështetjen e Moskës.

 

Në fillim të këtij viti, Kisha Ortodokse Serbe zhvilloi për disa javë protesta në Mal të Zi kundër një ligji për Liritë Fetare.

 

Kisha Ortodokse serbe – e cila dominon për kohë të gjatë jetën fetare në Mal të Zi – pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat.

 

Ligji që hyri në fuqi në janar thotë se bashkësitë fetare duhet të dëshmojnë pronësinë e pasurisë para vitit 1918.

 

Mali i Zi, një vend me 620,000 njerëz, u nda nga Serbia përmes një referendumi në vitin 2006, duke marrë një kurs pro-perëndimor dhe duke u anëtarësuar në NATO në vitin 2017.

 

Vendi gjithashtu ka negociuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

 

Nacionalistët serbë në të dy vendet kurrë nuk e kanë njohur plotësisht ndarjen e Serbisë nga Mali i Zi, për të cilin ata pretendojnë se është historikisht territor serb. REL

14 maj 2020

 

 

 

Më shumë

Gjeloshaj: Joanikije të distancohet nga ata që kënduan për Kosovën

Kryetari i Komunës së Tuzit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, i bëri thirrje mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, që të distancohet nga ata që kënduan këngë nacionaliste me vargjet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, gjatë shugurimit të tij, më 5 shtator.   Këto vargje mund të shihen […]

Parlamenti i Malit të Zi, shkarkon ministrin që mohoi gjenocidin në Srebrenicë

Parlamenti i Malit të Zi, të enjten mbrëma shkarkoi ministrin e Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vladimir Leposaviç, për shkak të qëndrimit të tij mohues ndaj gjenocidit në Srebrenicë dhe dhe miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit në atë qytet.   Shkarkimi i ministrit tij u bë me propozimin […]

Ua mori ushtria jugosllave, shqiptarëve të Malit të Zi u rikthehen pronat pas 30 vitesh

Shqiptarët e Malit të Zi, në Ulqin, kanë mbyllur një kalvar me pronat pas 30 vitesh.   Falë iniciativës së deputetit shqiptar atje, Genci Nimanbegu, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar ligjin për kthimin e pronës së Valdanosit ish pronarëve.   Kjo konsiderohet një fitore e madhe për shqiptarët në Mal të Zi, […]

Shqiptarët gjatë pluralizmit në Mal të Zi

Në sesionin shkencor “Shqiptarët në Mal të Zi gjatë tri dekadave të fundit” u shpalosen analiza shumëdimensionale mbi proceset dhe dukuritë që kanë ndodhur gjatë pluralizmit në këtë vend.   Studiuesë të ndryshëm shfaqen pikëpamje dhe analiza mbi pozitën e shqiptarëve dhe për nivelin e integrimit të tyre në Mal të Zi.   […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara