Sunday 19 May 2024
Sunday 19 May 2024

 

 

Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia shqiptare do të rritet me 4.9% për këtë vit dhe 4.1% për vitin e ardhshëm. Guvernatori Gent Sejko, tha sot pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se aktiviteti ekonomik është në përmirësim gradual, por ekonomia neglet ende nën nivelet e para pandemisë. Sipas tij, rritja e vëllimit të shitjeve, rritja e konsumit të energjisë elektrike, ecuria më e mirë e të ardhurave fiskale, si dhe zgjerimi i eksportit dhe importeve sinjalizojnë një ecuri më të mirë të ekonomisë.

 

Skenari bazë i parashikimit të Bankës së Shqipërisë ngelet për një rimëkëmbje graduale të ekonomisë, falë përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe e lehtësimit të kufizimeve të lidhura më të. Megjithatë, Guvernatori theksoi sërish se pasiguritë e lidhura me Covid-19 janë të larta. Nëse parashikimet për një përmirësim të situatës së epidemisë nuk do të përmbushen, kjo do të reflektohet në një përmirësim më të ngadaltë të ekonomisë.

 

“Rritja ekonomike pritet të mbështetet nga një stimul i konsiderueshëm monetar dhe fiskal, nga reduktimi i pasigurisë, si dhe nga rimëkëmbja e aktivitetit ekonomik botëror. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, si dhe të rritin gradualisht të ardhurat në të gjithë sektorët e ekonomisë. Rritja e kërkesës do të ndihmojë rritjen e punësimit, duke u përkthyer më tej në rritje të pagave dhe në një kthim gradual të inflacionit drejt objektivit brenda vitit 2022. Në çdo rast, këto projeksione mbështeten në supozimin e reduktimit progresiv të pandemisë gjatë vitit 2021, dhe janë të kushtëzuara dukshëm prej saj. Ecuria e pandemisë dhe ndikimi i saj në ekonomi kanë qenë dhe vijojnë të mbeten burim pasigurie në parashikimet ekonomike,” tha Sejko.

 

Në rast të materializimit të një skenari negativ, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore u shpreh sërish i gatshëm të ndërmarrë masa në drejtim të rritjes së mëtejshme të stimulit monetar.

 

Sipas Guvernatorit, ecuria e mirë e kreditimit ngelet një nga nxitësit kryesorë të rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Guvernatori tha se tregu ka likuiditet të bollshëm dhe stimuli që po jep politika monetare është përcjellë mirë në tregje.

 

“Kushtet monetare stimuluese kanë mbështetur rritjen e kredisë bankare, e cila ka vijuar të jetë një burim i qëndrueshëm financimi për familjet dhe kompanitë shqiptare. Vëllimi i kredisë bankare për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore prej 7.1% në muajin shkurt. Zgjerimi i kredisë ka qenë relativisht i balancuar, në drejtim të strukturës së monedhave, në drejtim të përfituesve biznese apo individë, si dhe në drejtim të destinacionit për financimin e investimeve apo mbulimin e kapitalit qarkullues. Po ashtu, sinjale inkurajuese në drejtim të rritjes së efektivitetit të politikës monetare vijnë nga zgjerimi progresiv i peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky tregues shënoi vlerën 50% në fillim të vitit 2021,” u shpreh Guvernatori.

 

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, si edhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.1% dhe atë të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 0.9%. Në orientimin e tij për tregjet, Guvernatori Sejko tha se politika monetare do të ngelet nxitëse në afatin e mesëm, për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike.

 

 

 

 

Më shumë

Politikat e copëtuara për bujqësinë

Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me këtë sektor jetik që sjell gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me fillimin e viteve ’90, kjo peshë është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (2%) dhe gati dy herë më e lartë se […]

Shqiptarët shpenzuan 13.6 milionë euro në 9 muaj për të siguruar pronat, si ndahet tregu mes kompanive

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.   Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një […]

Drafti: Rritet kufiri i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë, përgjysmohet nga 30-50 mijë lekë, pragu për shtresën e mesme bëhet 200 mijë lekë

Nga korriku i vitit 2022 pritet që të ndryshojë sërish tatimi mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që është sot), po ashtu dhe kufirin mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga […]

Çmimet e naftës shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj, arrijnë 184 lekë, afër rekordit historik

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.   Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara