Thursday 30 May 2024
Thursday 30 May 2024

 

Ndryshe nga sa mund të imagjinohet, statistikat tregojnë për një presenzë të rëndësishme dhe antike të botës islamike në Kinë.  Historia e shtrirjes së fesë islame në Kinë nis menjëherë pas lindjes së kësaj feje, falë takimit kokë më kokë dhe shkëmbimeve personale midis xhaxhait të Profetit Muhamet, Saad ibn Abi Ëaqqas  dhe perandorit kinez Gaozong të Dinastisë Tang, gjatë mbretërimit të Kalifit Uthman në 651 pas erës sonë. Rreth atyre viteve filloi edhe ndërtimi i xhamisë së parë në hapësirën kineze, në Kanton, si dhe hyrja e fesë islame nga tregëtarët arabë dhe persianë të Rrugës së Mëndafshtë. Shtrirja e fesë islame nisi me dinastinë Yuan(1271-1368), e cila u dha emigrantëve myslymanë  të Azisë Qendrore një status gjer edhe më të lartë se ai i popullsive autoktone të etnisë Han. Mongolët përdorën mirë burokracitë dhe të fuqishmit me origjinë arabe, persiane dhe turke (uighurët), si pjesë e strategjisë së tyre të administrimit  e të kontrollit të territorit. Më vonë, myslymanët kinezë arritën të ruajnë influencën e tyre , veçanërisht në çështjet ushtarake, nën Dinastinë Ming(1368-1644). Kësaj epoke i përkasin edhe ekspeditat detare të admiralit Zheng He, një ndër myslymanët më të famshëm të historisë kineze.

Si epokë e represionit të islamizmit, por edhe të minoriteteve të tjerë fetarë dhe etnikë në Kinë, njihet  ajo e Dinastisë mançuriane Ching (1644-1911) dhe më vonë, goditjen kryesore ia dha Revolucioni Kulturor i Mao Ce Dungut (1966-1976). Megjithëse kushtet aktuale janë, nga pikpamja formale, të ndryshme, regjimi i Pekinit tregohet shumë sensibël kur vjen fjala tek numri dhe shtrirja e popullsive islamike. Në tre çensimentet e fundit (1982,1990, 2000), fjala vjen, krijohet shumë mjegull mbi numrin e saktë të popullsisë myslymane në Kinë. Kjo ngaqë shteti aktual kinez, i deklaruar si ateist, vazhdon të shprehë një tolerancë të ulët ndaj fesë në përgjithësi e ndaj minoriteteve fetarë islamikë në veçanti. Tolerohen vetëm ente fetarë të ndërtuar me pëlqimin e PKK dhe të çertifikuar nga Zyra e Shtetit për Çështjet Fetare. Grupime të tjerë fetarë apo sekte fetarë, siç ishte, fjala vjen, Falun Gong i themeluar më 1992, i cili arriti të grumbullojë rreth vetes rreth 1OO milionë njerëz në të gjithë Kinën, janë shpërndarë nga forcat kineze të represionit shtetëror ngaqë konsiderohen një kërcënim serioz për R.P.Kineze dhe për Partinë Komuniste.

Burime të ndryshme kalkulojnë se myslymanët e Kinës arrijnë në rreth 2% të të  gjithë popullsisë. Departamenti Amerikan i Shtetit i mbahet zyrtarisht shifrës prej 1,5%. Një tjetër burim, BBC angleze, kalkulon se popullsia myslymane e Kinës varion nga 20 në 10 milionë banorë. Në territorin kinez funksionojnë rreth 35 mijë xhami dhe numri i imamëve arrin në 45 mijë.

Për nga shtrirja, nuk gjen asnjë provincë kineze pa komunitetin islamik të vetin, por zonat me përqëndrimin më të madh të popullsisë së besimit myslyman janë në Verilindje të Kinës, në provincat Xinjiang, Gansu, Qinghai dhe  Ningxia. Minoritete jo të vegjël gjen edhe në Yunnan, në kufi me Birmaninë dhe në provincën qendrore të Henan.

Myslymanët kinezë janë të ndarë në afro dhjetë grupe etnike të dallueshëm midis tyre, ndër të cilët, ata të etnisë Hui numërojnë rreth 10 milionë banorë, Uighurët 8,5 milionë, kazakët 1,25 milionë dhe nga qindra apo dhjetra mijëra përbëhen komunitetet islamike të etnive dongxiang, kirghiz, salar, tagik, uzbek dhe tatar. Shumica e myslymanëve kinezë janë sunitë, por hasen edhe variante të veçantë të rrymës sunite; në ndonjë syresh, si në etninë Hui,  është e pranueshme që rolin e imamit ta luajnë edhe gratë.

Pas shekujsh represioni të egër, si gjatë dinastisë së fundit, ashtu edhe gjatë sundimit të Maos, popullsitë myslymane të Kinës dhe minorancat e tjera etnike e fetare fituan të drejtën e deklarimit të identitetit dhe të zhvillimit të gjuhës, të kulturës dhe të traditave të veta me ndryshimet në Kushtetutën e Republikës Popullore të Kinës në vitin 1978 (menjëherë pas vdekjes së Maos). Që nga ajo kohë, edhe për fenë islame nisi një periudhë rilindjeje, edhe pse nën kontrollin e rreptë të autoriteteve kineze. Një numër i madh të rinjsh nga komunitetet islamike nisi të frekuentojë shkollat islamike të Egjiptit, Sirisë, Arabisë Saudite, Iranit, Malajzisë dhe Pakistanit. Praktikat fetare janë të toleruara qysh nga tetori i vitit 2007. Pavarësisht këtyre lëshimeve, të cilat regjimi i PKK u detyrua t’i bëjë ngaqë i shtyrë prej rrethanave ndërkombëtare dhe ato të diktuara nga hapja e Kinës ndaj botës, në mentalitetin e këtij regjimi, fetë dhe kultet fetare konsiderohen gjithnjë një kërcënim serioz për shtetin dhe regjimin. Ky regjim, në filozofinë dhe në strategjinë e vet të sigurisë, konsideron gjithmonë të ashtuquajturën “Periferi Perëndimore”, veçanërisht provincat e Tibetit dhe të Xinjiangut, një problem i madh për sigurinë dhe integritetin territorial të RP të Kinës. Provinca e Xinjiangut zë pothuajse një të gjashtën e të gjithë territorit kinez dhe Tibeti etnik është po ashtu një nga provincat më të mëdha nga pikpamja territoriale. Në të dyja këto provinca, pas pushtimit të Tibetit nga ana e Ushtrisë Popullore Kineze (tetor të vitit 195O) dhe pas represionit kinez mbi popullsinë islamike të Xinjiangut, nuk janë shuar kurrë tendencat e gjetjes së rrugëve për shkëputje nga Kina Popullore. Protesta massive për më shumë të drejta politike dhe autonimi, janë shtypur me dhunë të pashembullt nga qeveria qendrore kineze.  Për më tepër, Xinjiangu, është edhe porta e hyrjes për resurset energjitike nga Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme (nëpërmjet Pakistanit) si dhe një provincë e pasur në risurse natyrorë. Afro 60% e ekonomisë rajonale përfaqësohet nga industria e hidrokarbureve e cila përfshin nxjerrjen e naftës bruto, të gazit si dhe gazsjellësin që lidh provincën me qytetin më të madh kinez në Lindje, Shanghain.

Popullsia myslymane e etnisë Uighuri, autoktone në Xinjiang, është tashmë në konflikt të përhershëm potencial etnik me popullsinë Han (91% e etnive tipikamente kineze janë Han) e instaluar atje vetëm rreth shekullit të XVIII nga ana e Dinastisë mançuriane  Ching  dhe veçanërisht nga regjimi i Maos, pas vitit 1949. Politika demografike që ndjek sot e kësaj dite regjimi i Pekinit, është ajo e shkrirjes, dalngadalë, e popullsisë uighure, në popullsinë kineze Han. Regjimi kinez i Maos, për zhvillimin e provave të para bërthamore, zgjodhi pikërisht territorin Uighur, në Xinjiang, në basenin e shkretëtirës së Tarimit.

Ka patur më shumë se një tentativë për të ngritur një entitet shtetëror Uighur në Xinjiang. Republika e Turkestanit Lindor pati jetë të shkurtër më 1933 dhe më pas, me mbështetjen e Bashkimit Sovjetik të Stalinit nga viti 1944 deri më 1949.  Është i madh numri i pjestarëve të etnisë uighure që mendon se pavarësia nga Pekini është një e drejtë legjitime e tyre, pavarësisht se në kartë, qysh nga viti  1955, Xinjiangu gëzon statusin e një rajoni autonom (Xinjiang Uyghur Autonomous Region). Provinca ka një governator formal të etnisë uighure, natyrisht besnik ndaj politikës së qeverisë kineze, por dihet se në RP të Kinës, pushtetin nuk e kanë në dorë governatorët e provincave, por sekretarët lokalë të Partisë Komuniste. Në Xinjiang, sekretari i përgjithshëm i PKK për provincën është historikisht e rigorozisht i etnisë Han kineze!

Preokupazioni më i madh aktual  i popullsisë etnikë uighure të Xinjiangut  dhe i forcave separatiste është invazioni i gjerë i popullsisë Han kineze në rajon dhe masat e ashpra ushtarako-policore që kontrollojnë të gjitha lëvizjet në provincë e cila, kështu, nuk ka asnjë lloj autonomie të vërtetë. Specifikisht në Xinjiang, në ndryshim me rajone të tjerë, edhe ushtrmi i fesë islame nga ana e banorëve bie ndesh me shumë më tepër repression dhe masa kufizuese nga ana e autoriteteve. Një ndër masat më të çuditshme është ajo e ndalimit të frekuentimit të vendeve të kultit nga ana e minorenëve, punonjësve të administratës publike dhe sidomos nga ana e anëtarëve të Partisë Komuniste. Qeveria duhet të aprovojë ngritjen e xhamive të reja, emërimin e imamëve dhe këta të fundit janë të detyruar të mbajnë një regjistër të përpiktë të frekuentuesve të xhamive. Kështu, në Kinën e Xi Jianping “mbrohet” e drejta e ushtrimit të fesë. Disa vende kulti dhe komunitete të ritit sufi, me funzione të gjerë social dhe fetarë, janë mbyllur dhe ndaluar nga shteti. Kjo ndodhi për shkak se në kontekstin e përplasjeve etnike në Xinjiang, qeveria kineze akuzoi separatistët uighurë  për lidhje financiare dhe ushtarake me grupe militantësh islamikë në Pakistan, Afganistan dhe Azinë Qendrore.  Pekini e sheh me shqetësim shtrirjen e ndikimit të radikalizmit islamik në rajon dhe i druhet përhapjes së kësaj fryme ndër popullsinë uighure autoktone të Xinjiangut dhe lindjes së lëvizjeve separatiste të armatosura  në këtë rajon. Për të parandaluar këtë, Pekini po favorizon shpërnguljen e popullsive të etnisë Han nga rajone të tjerë të Kinës drejt Xinjiangut (deri më tani ka arritur të barazojë pqërqindjen e popullsisë uighure me atë të të ardhurve) dhe mban në provincë një dispozitiv masiv trupash ushtarake dhe policore të gatshëm për çdo ndërhyrje.  Për shkak të këtyre presioneve, kushtet ekonomiko-sociale  të popullsisë islamike uighure të Xinjiangut janë shumë më të prapambetura se sa ato të popullsisë së ardhur të etnisë Han. Në këtë mënyrë, Pekini nxit edhe emigracionin jashtë vendit të të rinjve uighurë.

Për Pekinin, çdo tentativë identitare shkon domosdoshmërisht drejt synimit të dizintegrimit territorial të Kinës dhe kjo konsiderohet tradhëti e lartë ndaj “atdheut të përbashkët”.  Në këtë optikë, edhe paqësorja Lëvizje për Pavarësi e Turkestanit Lindor, e udhëhequr nga sipërmarrësja Rebiya Kadeer, e cila nuk ka asnjë lidhje me ekstremistët islamikë, por është shprehje e rebelimit ndaj represionit kinez  të viteve ‘90-të, konsiderohet nga autoritetet e Pekinit një grup fetar i dhunshëm.

Në Pekin refuzojnë të kuptojnë se nuk është aq influenca nga jashtë sa ç’është  represioni i brendshëm i të drejtave fetare dhe etnike shtysa më e madhe e radikalizimit  të ambienteve që synojnë pavarësinë, gjë që ka sjellë formimin e grupeve të armatosur  e të lidhur me Jihadin global të Al-Kaedas. Është rasti i ETIM (East Turkestan Islamic Movement) i cili, në ndryshin nga Lëvizja paqësore e Rebija Kaderit, është  shprehje e radikalizmit islamik në vend dhe është një organizatë e shpallur dhe e dënuar si terroriste si nga SHBA, ashtu edhe nga BE dhe Kombet e Bashkuara.

Për regjimin e Pekinit, nuk janë politikat e tij repressive, por ndërhyrja e huaj që ka çuar në këtë pikë. Të njejtën logjikë Pekini përdori edhe për Tibetin dhe Dalai Lamën.

Përplasja frontale midis etnive, midis popullsisë autoktone dhe asaj han kineze të ardhur, midis regjimit dhe popullsisë uighure, u kurorëzua me luftimet e armatosur në Urumki. Në përfundit të këtij shkallëzimi, minoranca etnike myslymane ishte ajo që pësoi dëmet më të mëdha, por nxorri në të njejtën kohë në pah një fakt të thjeshtë e të natyrshëm: asnjë vend që ushtron repression mbi minorancat etnike nuk është e nuk mund të jetë monolit dhe nuk mund ta ruajë stabilitetin socioekonomik për një kohë të gjatë. Eksperienca e regjmit të Milosheviçit në Jugosllavinë e  post Titos dhe eksperienca e regjimit të Pekinit kanë shumë ngjashmëri midis tyre, motiv për të cilin Kina refuzon edhe idenë e njohjes së shtetit të ri të Kosovës në Ballkan.

E ardhmja e sigurtë e Kinës nuk mund të mbështetet mbi represionin e minorancave kulturore, fetare apo etnike, por me afirmimin dhe emancipimin e vazhdueshëm të tyre. Rregullimet e forcuara demografike mbi baza etnike brenda territoreve me histori dhe kontekst biokulturor të konsoliduare të njohur, janë politika dritshkurtëra që, herët a vonë, prodhojnë efekte boomerang të pakthyeshëm për regjimet që i gjenerojnë dhe zbatojnë. Vetë historia mijëvjeçare e Kinës dëshmon qartë se përmasat dhe fuqia e një shteti janë treguesë variabël në histori, ndërsa popujt, kulturat dhe gjuhët e tyre janë ata që mbeten.

Përgatiti L.P

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara