Dita Ndërkombëtare e Romëve, është një kremtim i historisë rome, traditave dhe kulturës, sikundër edhe thirrje për përfshirje sociale.
Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet rome, në të gjithë botën. Kjo dite është shpallur zyrtarisht në vitin 1990, në Kongresin e katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom.
Në raportin më të fundit të Amnesty International mbi të drejtat e njeriut thuhet se viti 2020 regjistroi edhe protesta të pakicës rome në Shqipëri pasi nuk kishte përfituar nga ndihma emergjente e qeverisë, sepse kjo ndihmë nuk mbulonte punonjësit e sektorit informal.
Parlamenti, vëren raporti, miratoi një amendament ligjor duke zgjeruar ndjeshëm grupet që do të gëzojnë mbrojtje ligjore nga diskriminimi.
Në Gjermani, në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Komisioneri i Qeverisë Federale për Minoritetet Kombëtare, Bernd Fabritius, bën thirrje për pjesëmarrje të barabartë të sintëve dhe romëve dhe për luftën kundër anticiganizmit.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve, e cila që nga viti 1990 festohet çdo vit në 8 Prill, si një ditë botërore e veprimit. Kjo datë përkujton Kongresin e parë Botëror të Romëve, i cili u zhvillua në Londër 50 vjet më parë (8 Prill 1971).
Në shumë vende të Evropës, sintët dhe romët ende përballen me paragjykime, mungesë tolerance dhe me diskriminim. Një shoqëri që vlerëson diversitetin dhe krijon mundësi të barabarta nuk mund t’i tolerojë diskriminimin dhe përjashtimin dhe do t’i luftojë ato vazhdimisht. Në këtë sfond, lufta e përbashkët dhe e intensifikuar kundër anticiganizmit luan një rol të rëndësishëm. Mbi të gjitha, pjesëmarrja aktive dhe përfshirja janë të mundshme vetëm kur në shoqërinë tonë është e garantuar një qasje pa paragjykime dhe kur nuk mbetet vend për anticiganizëm.
Respekt në marrëdhëniet me njëri-tjetrin
Si I Ngarkuar i Qeverisë Federale për Minoritetet Kombëtare, për mua është veçanërisht e rëndësishme që pakicat të përjetojnë pranimin e kulturës dhe historisë së tyre dhe që ata të kenë vendin e tyre në mes të shoqërisë sonë. Kohezioni shoqëror nënkupton hapje dhe respekt në marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Kjo është baza e bashkëjetesës paqësore në shoqërinë tonë.
Mbrojtja e minoriteteve është një kontribut për diversitetin shoqëror që nuk duhet ngatërruar me asimilimin. Ata që ia vendosin vetes këtë qëllim duhet të krijojnë gjithashtu kushtet kuadër, në mënyrë që të ruhet identiteti; ky është lajtmotivi i politikës gjermane ndaj pakicave dhe ai duhet të jetë gjithashtu konsensus në të gjithë BE.
Dëshiroj të kujtoj me këtë rast kornizën e re strategjike të BE, e cila mbron pjesëmarrjen e barabartë të sintëve dhe romëve në Gjermani dhe në Evropë. Me këtë Komisioni Evropian ndoqi kërkesën e Parlamentit Evropian, për një kornizë më të fortë strategjike për BE për periudhën pas vitit 2020, duke vazhduar dhe zgjeruar strategjinë e mëparshme. Tani është përgjegjësia jonë të zbatojmë këtë kornizë të BE në nivelin e shteteve anëtare.
Përfshirja sociale e sintëve dhe romëve
Në strategjinë e re të BE-së për romët, unë gjithashtu shoh një konfirmim të qasjes së ndjekur në nivelin kombëtar deri sot për një politikë më të gjerë të përfshirjes sociale të Romëve. Angazhimi i shoqërisë civile luan në veçanti një rol të rëndësishëm. Kjo vlen veçanërisht për përfaqësuesit e rinj të pakicave, interesat e të cilëve i mbroj në mandatin tim.
Ne të gjithë mbajmë përgjegjësi për të ardhmen e një Europe të sigurt dhe të paqtë; një Evropë në të cilën të gjitha format e racizmit, përfshirë anticiganizmin, lihen pas dhe në të cilën ekzistojnë mundësi të barabarta për pjesëmarrje për të gjithë.
Në këtë kuadër merr rëndësi vendimtare zbatimi i strategjisë së BE-së për romët në vendet anëtare gjatë 10 viteve të ardhshme. Rruga për pjesëmarrjen e barabartë të sintëve dhe romëve dhe për luftën kundër anticiganizmit është shtruar. Tani ka rëndësi që ta vazhdojë së bashku atë dhe që t’i zbatojmë me guxim qëllimet e deklaruara.
Dr. Bernd Fabritius, CSU, është anëtar i Bundestagut Gjerman dhe I Ngarkuar i qeverisë federale për Çështje të të Shpërngulurve dhe për Minoritetet Kombëtare.
Sead Kazanxhiu: Të mos harrojmë gjuhën rome
50 vjet më parë, më 8 prill 1971, u zhvillua pranë Londrës Kongresi i Parë i Sinti dhe Romëve, në të cilin morën pjesë përfaqësues nga 14 vende të Evropës. Po cila është kultura rome? Kësaj pyetje pak vetë dinë t’i përgjigjen, prandaj Sead Kazanxhiu ka mbledhur histori dhe përralla rome dhe i ka ilustruar ato.
https://www.dw.com/sq/sead-kazanxhiu-t%C3%AB-mos-harrojm%C3%AB-gjuh%C3%ABn-rome/av-57129772
Dita Ndërkombëtare e Romëve: Kujtimi i historisë për të siguruar një të ardhme më të ndritur
Deklaratë nga Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës
Një komunitet që është plotësisht i vetëdijshëm për historinë dhe kulturën e tij ka më shumë të ngjarë të shikojë të tashmen dhe të ardhmen me besim. Nga puna ime deri tani si Sekretare e Përgjithshme, jam e impresionuar nga angazhimi i të rinjve romë për të krijuar organizata dhe rrjete kombëtare dhe ndërkombëtare, duke marrë udhëheqjen për t’u lidhur me të tjerët në të gjithë vendet tona anëtare dhe duke na drejtuar të gjithëve drejt njohjes dhe mbajtjes mend të viktimave rome të Holokaustit dhe rezistencës rome.
Romët dhe Udhëtarët ishin në shënjestër për shfarosje në vitet 1930 dhe 1940. Forcat fashiste nga Balltiku në Ballkan ekzekutuan qindra dhe mijëra. Në Gjermani, vetëm disa mijëra sinti dhe romë i mbijetuan Holokaustit dhe kampeve të përqendrimit. Megjithatë, vrasja masive e romëve nuk u ngrit as në gjykimet e Nurembergut.
Konferenca e Këshillit të Evropës, në internet, e datave 7-9 prill – “Rinia rome: Së bashku për emancipim dhe fuqizim, Roli i historisë në pjesëmarrjen dhe përfshirjen e të rinjve romë” – kontribuon në kujtesën tonë kolektive. Në të vërtetë, mësimi i historisë së romëve dhe udhëtarëve dhe përkujtimi i holokaustit të romëve janë përparësitë e Planit aktual Strategjik të Veprimit të Këshillit të Evropës për Përfshirjen e Romëve dhe Udhëtarëve (2020-2025).
Organizuar, ndër të tjera (*), nga Departamenti i Rinisë dhe Ekipi i Romëve dhe Udhëtarëve të Këshillit të Evropës në kuadrin e Presidencës Gjermane të Komitetit të Ministrave, qëllimet e konferencës tre-ditore në anglisht, frëngjisht dhe romisht janë sa ambicioze aq edhe thelbësore.
Mbi 120 pjesëmarrës do të promovojnë një Rekomandim të fundit të Komitetit të Ministrave për shtetet anëtare për të përfshirë historinë e romëve dhe/ose udhëtarëve në programet shkollore dhe materialet mësimore. Rekomandimi thekson rëndësinë e mësimit të Holokaustit, siç është kryer nga regjimi nazist dhe aleatët e tij dhe akte të tjera të kryera kundër romëve dhe udhëtarëve në të gjithë Evropën. Ai u bën thirrje qeverive të integrojnë aktivitete në lidhje me Përkujtimin e Holokaustit Rom në arsimin zyrtar dhe joformal, në lidhje me Ditën Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit Rom (2 gusht) ose me një datë më të përshtatur në kontekstin historik të vendit në fjalë: Për shembull përvjetorët vendor të lidhur me burgosjen ose dëbimin e romëve në kampe përqendrimi.
Konferenca do të marrë në konsideratë dhe do të propozojë veprime për tu ndërmarrë kundër shprehjeve të anticiganizmit sot siç janë gjuha e urrejtjes në internet, shtrembërimi i historisë dhe mohimi i Holokaustit. Kjo duhet të na motivojë të gjithëve si shumëzues në edukimin e historisë, kulturës dhe identitetit të romëve dhe udhëtarëve dhe Përkujtimin e Holokaustit të Romëve.
Këtë vit, Dita e Romëve shënon për më tepër dhe 50 vjetorin e Kongresit të Parë Botëror të Romëve, të mbajtur në 1971 në Mbretërinë e Bashkuar dhe shfaqjen e një lëvizjeje romane për barazinë dhe identitetin e romëve. Me kalimin e viteve, këto mbledhje kanë krijuar qëllime kyçe, nga standardizimi i gjuhës rome dhe përmirësimi i të drejtave civile dhe arsimimi, te ruajtja e kulturës rome dhe njohja e romëve të Evropës si një pakicë kombëtare me origjinë indiane.
Këshilli i Evropës mbështet të gjitha qëllimet e tilla. Dhe të kujtosh të kaluarën shkon dorë për dore me përballjen e problemeve sot, kur shohim se ende duhet të bëhet shumë punë.
Fatkeqësisht, stigmatizimi kolektiv i romëve dhe udhëtarëve vazhdon. Fëmijët shpesh ndahen dhe ngacmohen në shkolla. Të rriturit përballen me diskriminim në tregun e punës ose kur kërkojnë kujdes shëndetësor. Në shumë raste, familjet rome jetojnë në lagje të varfëra. Mijëra romë evropianë mbeten pa shtetësi, dhe shumë prej tyre nuk kanë dokumente personale të identitetit për të provuar se kush janë ata.
Ngaqë konferenca jonë mbahet tërësisht në internet për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme me COVID-19 na kujton për më tepër se si pandemia ka goditur veçanërisht komunitetet rome dhe udhëtare.
Në raportin e tij vjetor, të prezantuar muajin e kaluar, komisioni Këshillit të Evropës kundër racizmit (ECRI) theksoi se midis grupeve të prekur në mënyrë disproporcionale nga pandemia, romët vuajtën më së shumti, të kufizuar në lagje të mbipopulluara me qasje të kufizuar në shërbimet publike, ku distancat fizike dhe higjiena e mirë është gati e pamundur të ruhet.
Masat për mësimin në distancë kanë përjashtuar fëmijët romë dhe udhëtarë nga shkolla për shkak të mungesës së aksesit në internet dhe kompjuter, humbja e ndihmës sociale e kushtëzuar nga pjesëmarrja e fëmijëve në shkollimin nga shtëpia në disa vende e ka përkeqësuar situatën.
Por ne mirëpresim masat pozitive të ndërmarra nga disa shtete evropiane, të tilla si sigurimi i energjisë elektrike, ujit dhe lidhjes së internetit falas për komunitetet rome gjatë karantinës.
Në përgjithësi, ne duhet të kuptojmë se përgjithësimet paragjykuese në lidhje me romët dhe udhëtarët dhe gjuha e urrejtjes nxisin ksenofobinë, duke bërë jehonë të historisë ndonjëherë brutale të shtypjes së romëve në Evropë që shkon prapa në shekuj.
Ndërsa festojmë Ditën Ndërkombëtare të Romëve, le të zotohemi që të pranojmë historinë dhe të adresojmë problemet aktuale. Duke bërë të dyja këto, ne mund të presim një të ardhme më të ndritur për romët dhe udhëtarët e Evropës dhe kështu për Evropën në tërësi.
Dita Ndërkombëtare e Romëve – Bernd Fabritius: Nuk ka vend për anticiganizëm
KE, takim mbi luftën ndaj diskriminimit racor dhe intolerancën – Ahlund: Shqipëria, arritje të mëdha gjatë dy dekadave
Arumunët e Shqipërisë, thirrje ministrit të Brendshëm: Rishiko ligjin, të na njihen të drejtat!
8 prilli – Dita Botërore e Romëve
Maqedonasit e “bullgarizuar” në Shqipëri
Të ndarë dhe të pabarabartë: Segregimi i fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollat shqiptare
Open Data Albania ka bërë një hulumtim mbi popullatën e minoriteteve kombëtare dhe kulturore në Shqipëri. Të dhënat statistikore për minoritetet janë mbledhur nga disa burime, përgjithësisht publikime të Institutit të Statistikave, Drejtorisë së Statistikës, apo raportime të ndryshme ligjore të Qeverisë Shqiptare. Hyrje: Shqipëria njeh aktualisht dy lloje minoritetesh, minoritete etnike kombëtare dhe minoritete kulturore […]
“Rilindja reale e Gjuhës dhe Kulturës Armano-Vllahe ka filluar dhe do të vazhdojë…..” Armënët ose Vllehët e Shqipërisë Janë pjesë përbërëse e Popullit dhe e Shtetit Shqiptar. Ata kanë kontribuar pozitivisht në historinë e shekujve të fundit të vendit tonë e veçanërisht në Rilindjen Kombëtare dhe Pavarsinë e Shqipërisë. Armënët ose Vllehet në Shqipëri […]
“Ekzistenca e romëve në Shqipëri është përmendur që në vitin 1635, por duket se për më shumë se 5 shekuj, asnjëherë ata nuk kanë patur një shifër të saktë të prezencës.” Kush janë Romët? Minoriteti rom është i përhapur gjerësisht në Shqipëri. Origjina e romëve ka rrënjët në fiset e vendosura para shumë kohësh […]
Historia e egzistencës së minoritetit etnik serb dhe malazez e ka zanafillën që në mesjetën e hershme. Ky minoritet jeton kryesisht i përqendruar në qytetin e Shkodrës, të Koplikut, në komunën Gruemirë, ne fshatrat Vrakës, Omaraj, Gril, Boriç i Madh, Boriç i Vogël, në Kamicë, Shtoj i Vjetër, Shtoj i Ri, Dobraç, Golem, Mushan, Bushat […]