Thursday 20 June 2024
Thursday 20 June 2024

Kuvendi i Shqipërisë, në drejtimin e Kryetarit,  Gramoz Ruçi, zhvilloi sot seancën plenare të radhës nën një protokoll masash të veçanta, të ndjekura edhe në seancën paraardhëse, të ruajtjes së distancës fizike mes deputetëve dhe stafit në numër të reduktuar, për shkak të situatës pandemike. Seanca nisi me 1 minutë heshtje të kërkuar nga Kryetari i Kuvendit, në kujtim të aktorit të madh shqiptar, Rikard Larja, i ndarë nga jeta një ditë më parë. Seanca e sotme plenare miratoi projektvendimin për zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, miratoi edhe tetë projektligje, pesë prej të cilave ratifikuese të marrëveshjeve të ndryshme. Debati i sotëm parlamentar ishte i përqëndruar kryesisht në projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, me kohë të reduktuar diskutimesh, ardhur si dakordësi e palëve në Konferencën e Kryetarëve.

 

Zgjatet afati i gjendjes së fatkeqësisë natyrore

Me 91 vota pro, Kuvendi miratoi projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore”. Për këtë projektvendim, kryetari i grupit parlamentar të Pavarur,  Nimet Musai deklaroi votën pro në fjalën e tij dhe kërkoi komunikim të drejtpërdrejtë të taskforcës së menaxhimit të situatës pandemike me publikun, qoftë edhe përmes foltores së parlamentit, duke kërkuar pakësimin e ligjëratave propagandistike nga të gjitha palët. Ai u shpreh se do e mbështeste këtë projektvendim, pasi vinte si kërkesë me bazë shkencore e grupit të ekspertëve, që menaxhojnë prej ditës së parë situatën pandemike.

 

Kryetari i grupit tjetër parlamentar opozitar për Demokraci dhe Drejtësi, Edmond Stojku, u shpreh se koha e veprimeve të ndërmarra nga qeveria ka qenë e ngadaltë, pavarësisht se ai shprehu vlerësime për iniciativën qeveritare të ndihmës me bonus për personat që punonin në informalitet. Stojku kërkoi të dinte më tepër për ndonjë plan zhvillimi ekonomik për periudhën paspandemike.

 

Kryetarja e grupit parlamentar Demokrat, znj. Rudina Hajdari, e konsideroi të paargumentuar, të pastudiuar dhe të pambështetur këtë vendimmarrje. Ajo shprehu mospëlqimin e saj për hapat e ndërmarra për menaxhimin tërësor të situatës.

 

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, falënderoi vijën e parë të përballjes me virusin dhe masat e propozuara i konsideroi si mesazh që situata mbetet ende delikate, edhe pse faza e parë u kalua me sukses. Ai theksoi se falë këtyre masave, si edhe falë ndërgjegjësimit, kurba e përhapjes u vu në kontroll, vdekshmëria u minimizua e u shmangën skenarë të mundshëm jopozitivë.  Sipas Balla, pas Italisë, Shqipëria ishte shteti i dytë në botë që mbylli shkollat dhe kufizoi lëvizjen e lirë, gjë që përbënte dëshmi të reagimit në kohë.

 

Ndryshime në ligjet për standardizimin, për mbrojtjen e biodiversitetit dhe për peshkimin  

Seanca e sotme plenare, miratoi edhe ndryshimet përkatëse në tre projektligje, saktësisht me 89 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstemin, miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9870, datë 4.2.2008, “Për standardizimin”, të ndryshuar””; me 92 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, të ndryshuar””; me 91 vota pro, 4 kundër dhe 5 abstenim miratoi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 64, datë 31.5.2012, “Për peshkimin” të ndryshuar”.

 

Ligj i ri “Për aktivitetet e turizmit detar”

Kuvendi miratoi sot edhe një ligj rishtar për aktivitetet e turizmit detar. Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deputetja  Eglantina Gjermeni, listoi si risi të këtij projektligji mundësimin e ushtrimit të aktiviteteve të turizmit detar nëpërmjet garantimit të standardeve të sigurisë në mjetet e përdorura, subjektet, nën mbikëqyrjen e të cilëve mund të ushtrohen këto aktivitete, si dhe në vendet e ushtrimit të këtyre aktiviteteve; operimin në ujërat shqiptare të mjeteve të lundrimit turistik, në përputhje me procedura, kritere dhe afate të mirëpërcaktuara dhe garantimin e lundrimit në këto ujëra të mjeteve lundruese turistike të regjistruara, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Ajo u shpreh e bindur se turizmi, pavarësisht gjendjes së tanishme, do të jetë shtyllë kryesore për ringritjen ekonomike. Seanca e miratoi këtë projektligj me 91 vota pro, 3 kundër dhe 3 abstenim.

 

Miratohen projektligjet ratifikuese të pesë marrëveshjeve të ndryshme

Seanca e sotme plenare miratoi pesë projektligje ratifikuese për marrëveshje të ndryshme. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale në Shqipëri” u miratua me 98 pro, 2 kundër, asnjë abstenim.  Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit financiar ushtarak, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, dhe të protokollit zbatues në lidhje me asistencën financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë”, u miratua me 96 vota pro, 2 kundër, 2 abstenim.

 

Projektligji “Për ratifikimin e protokollit 6 shtesë të marrëveshjes për amendimin dhe aderimin në marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore”, u miratua me 98 vota pro, 1 kundër, 0 abstenime.

 

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes për një hua shtesë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe fondit të Kuvajtit për zhvillimin ekonomik arab për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës””, u miratua me 98 vota pro, 2 kundër, 0 abstenime.

 

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet, Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Francës, në lidhje me themelimin dhe ushtrimin e aktivitetit të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, të PROPARCO dhe të EXPERTISE FRANCE në Shqipëri”, u miratua me 98 vota pro, 2 kundër, 0 abstenime.

 

23 prill 2020

Më shumë

Në prag të 28 Nëntorit “bashkohen” arkivat, DPA hap sallë studimi në Kosovë

Në prag të Ditës së Flamurit, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bëhet institucioni i parë i Shqipërisë që ka prani fizike në Kosovë, duke çelur dyert e Këndit Arkivor Prishtinë, si sallë studimi në mjediset e Arkivit të Kosovës e Arkivi. Çdo studiues dhe qytetar që është i interesuar për të aksesuar dokumente që […]

Zgjidhet Kolegji i ri Zgjedhor

Dy ditë pasi Presidenti i Republikës dekretoi datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zgjedhur anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor. Shorti i hedhur në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor përzgjodhi 8 gjyqtarë të cilët do jenë pjesë e trupës që do të bëjë gjykimin e mosmarrëveshjeve apo ankesave […]

Hapet gara për hetues të BKH-së, struktura do të përbëhet nga 60 të tillë

Hapet gara për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ky institucion, në një njoftim për mediat, nënvizon se sot çelet procesi i rekrutimit për Pozicionet e Hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Përmes këtij procesi do të përzgjidhen 60 hetues që do të jenë pjesë e BKH. Kjo është një mundësi e mirë për […]

3 vjet nga fillimi i Vetting-ut, 105 gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra, 117 u konfirmuan

Procesin i Vetting-ut në drejtësi ka hyrë në vitin e tij të tretë dhe në total për t’u rivlerësuar janë rreth 800 prokurorë dhe gjyqtarë. Nga fillimi i procesit në prill të 2018 deri në 10 gusht të këtij viti kanë kaluar në filtirn e shkallës së parë të Vetting-ut 284 gjyqtarë dhe […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara