Friday 19 July 2024
Friday 19 July 2024

 

Termi Holokaust vjen nga greqishtja e lashtë e do të përkthehej si “sakrifikim nëpërmjet djegjes”. Ky term i atribuohet që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore strategjisë së planifikuar të regjimit nazist për zhdukjen fizike të popullit hebre dhe të popujve të tjerë si romët e sllavët, të konsideruar si “raca inferiore” që përbënin, sipas ideologëve nazistë, rrezik real për homogjenitetin e “racës superiore” gjermane. Po ashtu, në strategjinë sterminuese të Rajhut të Tretë, u përfshinë kategori të tjera si komunistët, socialistët që nuk përqafuan idetë nazifashiste, disa sekte fetare dhe homoseksualët.

 

Veçanërisht kundrejt hebrenjve, regjimi nazist aplikoi strategjinë e “Zgjidhjes Përfundimtare”, strategji e cila synoi asgjësimin fizik total të të gjithë hebrenjve të pranishëm në Europë. Në bazë të këtij programi, dy hebrenj në tre, nga rreth 9 milionë të pranishëm në territorin europian para Luftës së Dytë Botërore, gjetën vdekjen nga dora naziste gjermane. Viktima të këtij procesi u bënë edhe 200 mijë rom dhe po aq qytetarë gjermanë me handikape fizikë të cilëve iu rezervua vdekja klinike në strukturat publike shëndetësore gjermane, nëpërmjet programit “Eutanasia”.

 

Gjatë pushtimit nazist të Europës, viktimë e strategjisë naziste u bënë  tre milionë robër sovjetikë të luftës, të cilët u vranë, u torturuan, u lanë në mëshirën e të ftohtit e të urisë. Miliona civilë sovjetikë e polakë u deportuan dhe iu nënshtruan punës së detyrueshme në kampet e përqëndrimit. Shumë prej tyre humbën jetën për shkak të kushteve jo njerëzore në kampet naziste. Mijëra e mijëra komunistë, socialistë, sindikalistë, homoseksualë, iu nënshtruan torturave dhe deportimeve naziste e shumë prej tyre humbën jetën.

 

Kampet e përqëndrimit në Gjermani ishin krijuar qysh në vitet e parë pas ardhjes në fuqi të nazistëve atje. Qëllimi i ngritjes së tyre ishtei zolimi i kundërshtarëve politikë të regjimit. Popullimi i këtyre kampeve me hebrenj dhe romë u rrit në mënyrë konstante që në fillimet e regjimit, para se ai të shkaktonte luftën me përmasa botërore. Kontrolli i popullsisë me origjinë hebraike u bë një ndër objektivat kryesorë të regjimit. Kështu u vijua me krijimin e getove të hebrenjve. Një organizim i tillë lehtësonte si kontrollin e tyre nga ana e forcave naziste të sigurisë, ashtu edhe deportimin në masë të hebrenjve në kampet e përqëndrimit, si brenda së ashtuquajturës Gjermani e Madhe, ashtu edhe në territoret e pushtuar.

 

Pas invazionit mbi Bashkimin Sovjetik, në qershor të vitit 1941, batalionet e specializuara gjermane ushtruan vrasje në masë të hebrenjve, romëve, funksionarëve të shtetit sovjetik dhe mbështetësve të komunistëve në rajonet sovjetikë të pushtuara. Trupat SS vranë mbi një milionë hebrenj dhe qindra mijëra të tjerë, pa llogaritur edhe qytetarët sovjetikë jo hebrej. Miliona hebrenj u deportuan gjatë periudhës 1941 – 1944, nga zonat gjermane e ato të pushtuara, drejt kampeve të posaçme të përqëndrimit, të njohur më mirë si kampet e shfarosjes. Në këto kampe, të burgosurit vriteshin nëpër dhomat me gaz të ndërtuara posaçërisht.

 

Mësymja nga të gjitha anët e frontit aleat antinazifashist solli çlirimin e të burgosurve hebrej dhe jo hebrej në një sërë kampesh përqëndrimi. Në vazhdim të strategjisë së shfarosjes në masë, trupat gjermane të SS, organizuan spostimin e forcuar të të burgosurve nëpër kampe të ndryshëm, me trena mallrash, në kushte krejtësisht antinjerëzorë, aksione të njohura si “udhëtimet e vdekjes”.  Deri edhe një ditë para rënies së nazizmit, më 7 Maj të vitit 1945, trupat e SS vazhduan të kryejnë operacione të tilla.

 

Menjëherë pas mbarimit të luftës në Europë, me kapitullimin e pakusht të Gjermanisë Naziste, për të mbijetuarit e holokaustit u ndërtuan kampe refugjatësh në vende të ndryshëm. Kampi i fundit i kësaj natyre u mbyll vetëm më 1957. Shumë njerëz, sidomos hebrej, u gjenden pas luftës pa të afërmit e tyre, përpos të privuar nga e gjithë pasuria e mëparshme e tyre. Një pjesë e mirë emigruan në shtetin e ri të Israelit, të tjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke iu shtuar komuniteteve hebraikë të pranishëm në këto vende.

 

Harta e pranisë dhe e komuniteteve hebraikë tradicionalë të Europës, me Holokaustin, kishte ndryshuar tërësisht.

 

Në historinë e pas luftës, nga më shumë se një drejtim është tentuar të propagandohet një rrymë negacioniste e Holokaustit. Mirëpo faktet janë aq të prekshëm saqë qëndrime të tilla janë kundërshtuar edhe nga forca që nuk mund të thuhet se shquhen për qëndrimet e tyre filo hebraike. Historia është Histori ngaqë mbetet, sado që ajo të mohohet, në këtë rast është e shkruar me fakte: në 12 vjet, mbi 10 milionë civilë u vranë nga vala e urrejtjes naziste; më shumë se gjysma e tyre ishin hebrej.

 

Holokausti ishte dhe mbetet genocidi më i madh në histori, i planifikuar dhe organizuar nga një shtet, për më tepër modern, teknologjikisht  e teknikisht nga më të avancuarit e asaj epoke, siç ishte Gjermania naziste.

 

ALBANIAN PROFILE

21 prill 2020

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara