Thursday 30 May 2024
Thursday 30 May 2024

 

“Një marrëveshje historike” për presidentin Donald Trump. Pas përpjekjeve të lodhshme me ndërmjetësinë e Europës, Serbia dhe Kosova bien në marrëveshje sipas rregullave të “Pax Americana”. Edhe pse marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë “kufizohet” në çështjet ekonomike midis dy vendeve ballkanike, në realitet ajo shtrihet më tej në çështje diplomatike dhe politike. Serbia angazhohet që të mos kundërshtojë më njohjen e Kosovës nga vende të tjerë si dhe nga organizma ndërkombëtarë. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë njohje de facto e pavarësisë së saj nga Beogradi zyrtar.

Programi i bashkëpunimit ekonomik, i nënshkruar në parim,  parashikon investime me vlerë prej 13 miliardë dollarësh, të shtrirë si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë dhe parashikon ndërtimin e autostradave, rrugëve hekurudhore, zhvillimin e trafikut ajror dhe të sistemeve të përbashkët të prodhimit e të furnizimit me ujë e energji elektrike. Ky program e risjell Kosovën më afër Serbisë në sistemin e saj ekonomik dhe prodhues, por në të njejtën kohë fuqizon edhe pozitat e saj si shtet më vete në transaksionet me Serbinë. Është e kuptueshme që, pa një program të tillë, çështja e njohjes reciproke do të kishte mbetur aty ku është, në një retorikë bajate nga lloji i atyre lojrave të ping-pongut politiko-diplomatik që europianët e kanë shumë për zemër.  Por që nuk do të sillte më asnjë të mirë, as për Kosovën e as për Serbinë. Ngërçi po i mban palët në një lloj status quo-je të rrezikshme, ekonomitë e të cilave nuk mund t’ia lejojnë vetes. Ngërçi po favorizonte idenë se Kosova nuk është e nuk mund të shndërrohet kurrë në një entitet eficient dhe me kapacitet shtetmbajtës. Kjo marrëveshje e nxjerr Kosovën nga një kategori e tillë shtetesh, të destinuar të riabsorbohen.

Lajmi surprizë, menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, vjen nga Izraeli, i cili, sipas të gjitha gjasave, ka ndër mend ta njohë mënjëherë Kosovën si shtet i pavarur. Rëndësia e këtij lajmi qëndron jo vetëm në vlerën reciproke të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Izraelit, por edhe për faktin se linja politike e Izraelit ka qënë ajo e njohjes së Kosovës menjëherë pasi Serbia ta bëntë këtë. Kjo do të thotë se Serbia ka pranuar njohjen e Kosovës, ndryshe, diplomacia izraeliane nuk do të kishte bërë asnjë reagim të tillë. Përpos kësaj, midis Vuçiç dhe kryeministrit izraelian Benjamin Netanyahu ka marrëdhënie reciproke shumë miqësore dhe vetë Izraeli ka interesa të caktuar ekonomikë dhe politikë në Serbi e ndoshta i shtrin ato edhe në Kosovë.

Në këtë rast, si Serbia, ashtu edhe Kosova, kanë shprehur dëshirën që të vendosin ambasadat e tyre në Jeruzalem dhe jo më në Tel-Aviv (për Serbinë) brenda vitit të ardhshëm.  Po ashtu, të dy vendet kanë pranuar të njohin si “organizatë terroriste” atë të Hamasit që operon në Gaza.

Gjithashtu, të dy vendet angazhohen që të mos pranojnë instalimin e rrjetit të telefonisë celulare 5G nga burime të pasigurta (nënkuptohet, Kina).

Ky hap i madh dhe i rëndësishëm është fryt i një pune të palodhur nga ana e diplomacisë amerikane dhe në veçanti e ambasadorit Richard Grenell si dhe e kabinetit të këshilltarit special Jared Kushner, për sa i përket pjesës së marrëdhënieve midis (veçmas) Kosovës, Serbisë dhe Izraelit.

Vuçiç dhe Hoti i rikthehen tashmë bisedimeve në Bruksel, për gjithë pjesën e mbetur të çështjeve, më ndërmjetësinë e shefit të diplomacisë së BE spanjolli Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për këtë dialog, sllovakun Miroslav Lajçak.  Të dy emisarët e lartë vijnë nga vende europianë që e kanë refuzuar njohjen e Kosovës.

Do të jenë me siguri vetë ballkanasit ata që do të dijnë si të dalin nga këto paradokse.

Më shumë

Raporti i KE: Ku ka bërë progres dhe ku ngec ende Shqipëria?

Komisioni Europian (KE) miratoi të martën, (19.10) Paketën e Zgjerimit 2021 dhe vlerësoi situatën dhe progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe Turqi në proceset e tyre respektive drejt hyrjes në Bashkimin Europian. Vëmendje e veçantë i është kushtuar reformave themelore dhe udhëzimeve të qarta për reformat prioritare në vijim, […]

Shqipëria ngjitet në çatinë e botës po me cilat prioritete?

Shqipëria bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit: për dy vjet Vend i vogël me politikë të jashtme konstruktive.   Shqipëria u zgjodh dje anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit. Duke filluar nga 1 janari i vitit 2022, Shqipëria do të ulet për dy vjet rresht në një nga pesëmbëdhjetë ulëset e organit të […]

Shqipëria mbetet peng i të kaluarës së saj komuniste

Dështimi i Shqipërisë për t’u shkëputur rrënjësisht nga diktatura e saj brutale komuniste ka shtrembëruar kujtesën e saj për të kaluarën dhe ka dëmtuar tranzicionin e saj nga shoqëria post-totalitare në një demokraci funksionale.   Ky mars shënoi 30-vjetorin e fillimit të Lëvizjes Studentore që i hapi rrugë rënies së regjimit komunist hoxhist, […]

Melodia e vjetër e BE-së për Ballkanin

Të dëgjosh Bashkimin Evropian duke u prononcuar për Ballkanin Perëndimor është pak a shumë njësoj sikur të mbyllesh në një dhomë dhe të dëgjosh të njëjtën melodi.   Është i njëjti refren i ëmbël që premton një të ardhme të mrekullueshme së bashku, por pa përcaktuar ku dhe kur.   Ka qenë viti […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara