Monday 22 July 2024
Monday 22 July 2024

 

Shumica socialiste në parlament, e mbështetur me vota pro edhe nga 23 deputetë të opozitës brenda parlament, miratoi sot ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

 

Sipas variant socialist, i kthyer tashmë në ligj, koalicionet zgjedhore duhen regjistruar në garë me lista të përbashkëta dhe pjesërisht të hapura. Kjo formulë e ul ndjeshëm mundësinë që qytetarët të zgjedhin kandidatët më të mirë nga listat e partive, ndërsa opozita kërkoi listta plotësisht të hapura, që të fuqizohej elementi maxhoritar.

 

Ndër të paktat ndryshime me rëndësi, pas kësaj, ishin ulja e pragut nga 3 në 1 për qind dhe kandidimi i kryetarëve në 4 zona.

 

Ndryshimet, sipas diskutimit të kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, sollën shembullin kroat të zgjedhjeve, por duke ndërhyrë për hir të konsensusit mes palëve për ulje të pragut zgjedhor nga 5% në 3%, e më pas në 1%. Balla e konsideroi si krejt të mundur, pavarësisht vonesave, që emigrantët të bëhen pjesë e këtij procesi zgjedhor dhe bëri thirrje për organet e reja të KQZ-së që të fillojnë të punojnë edhe në këtë drejtim. Ai gjithashtu shprehu keqardhjen për pamundësinë që në zgjedhjet e vitit 2021 të shkohej drejt zgjedhjeve me komisionerë jopartiakë. Në tërësi ai e konsideroi historike përmbylljen e reformës zgjedhore

 

Në përfundim të diskutimeve, ndryshimet në Kodin Zgjedhor u votuan me 97 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenim.

 

Lidhur me katër projektvendimet për organet e reja të KQZ-së, Ilirjan Celibashi u zgjodh Komisioner shtetëror për zgjedhjet me 106 vota pro, Lealba Pelinku u zgjodh Nënkomisionere shtetërore për zgjedhjet me 105 vota pro, me listë të përbashkët të votuar me 107 vota pro anëtarë të Komisionit Rregullator u zgjodhën Ilirjana Nano, Dritan Çaka, Arenc Çela, Muharrem Cakaj, Helga Vukaj; me 105 vota pro u votua edhe lista e përbashkët për komisionerë të KAS-it, Ilirjan Rusmajli, Elvin Lako, Koli Bele, Elvis Çefa dhe Ledjo Braho.

 

Me votimin e sotëm në parlament, duket se doli jashtë funksionit edhe Këshilli Politik, ku nuk ka mbetur më për të folur pothuajse asgjë.

 

Këshilli Politik u ngrit si një forum mes pozitës dhe opozitës në janar me synimin për ta kryer reformën zgjedhore deri në mars, afat që u shty deri në maj dhe me shtytjen e diplomatëve amerikanë dhe europianë mes palëve u arrit një marrëveshje më 5 qershor. Opozita thotë se edhe kjo u shkatërrua me votimin e sotëm në parlament, i cili megjithatë vazhdoi procedurat për zgjedhjen e KQZ-së së re dhe administratës që pritet të menaxhojë zgjedhjet e 25 prillit, kur partitë e mëdha, kanë nisur fushatën zgjedhore, 9 muaj para zgjedhjeve, sapo presidenti dekretoi datën e mbajtjes së tyre.

 

Pas votimit sot në parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, reagoi ambasada e SHBA-ve në Shqipëri. “Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave, që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, të cilat janë shtesë, dhe jo shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, por është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik” – thuhet në deklaratën e SHBA-ve në Tiranë.

 

Në reagimin e ambasadës theksohet se “Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare”.

 

Në të veçohet se ishte angazhimi pozitiv që prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

 

“SHBA bëri të qartë që ajo marrëveshj duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik” – deklaroi ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

 

Selia diplomatike amerikane kujtoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së, ndaj është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë, duke filluar, por jo vetëm, nga ata në pushtet, për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.

 

 

Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro dhe kundër për miratimin e Kodi të Ri.

 

Teksa nga maxhoranca ishin 74 vota pro, nga opozita ishin 23 vota.

 

Mësohet se deputetët opozitare që kanë votuar pro ndryshimeve janë; Grupi parlamentar “Demokraci dhe drejtësi”, i cili ka në përbërje të tij 11 deputetë, mes tyre Edmond Stojku. Bëhet fjalë për Eugen Bojaxhiun, Selami Jenishehrin, Krenar Rryçin, Koçi Tahirin, Klajdi Qamën, Majlinda Halilajn, Ervis Meçon si dhe Ramazan Gjuzin.

 

Mes atyre që u pozicionuan pro këtyre ndryshimeve janë dhe grupi parlamentar “I pavarur”, i përbërë nga 9 deputetë. Bëhet fjalë konkretisht për Nimet Musajin, Ylli Shehun, Aurora Mara, Enver Roshi, Ediola Braha, Edlirta Hyseni si dhe Enada Kapllani.

 

Kundër këtij kodi votuan; Ralf Gjoni, Adriatik Alimadhi, Myslim Murrizi, Artur Roshi, Zef Shtjefni, Ambra Borova, Gjetan Gjetani, Fatjona Dhimitri, Halit Valteri, Erion Piciri dhe Elda Hoti.

Më shumë

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar

Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij.   Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të […]

Shtyhet ngritja e komisionit të reformës zgjedhore

Miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore është tërhequr nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.   Vendimi ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj.   Kjo për faktin se palët ende nuk janë dakordësuar për objektin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. […]

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin që do të votohet ditën e sotme mbi konventën e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit.   Sipas saj kjo konventë do të bëjë që çdo shtetas apo biznes që zhvillon […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara