Saturday 2 March 2024
Saturday 2 March 2024

 

Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur e gjen Kosovën pa ndonjë përparim në zbardhjen e fatit të të zhdukurve gjatë luftës së vitit 1999. Janë 1 mijë e 643 persona, pjesa më e madhe shqiptarë, fati i të cilëve mbetet i pa ndriçuar. Korrespondentja jonë, Edlira Bllaca, bisedoi me një familjar i cili ende nuk di asgjë për trupat e 17 anëtarëve të familjes, të zhdukur gjatë luftës.

 

Bekim Gashi nga fshati Tërnj i komunës së Suharekës, rreth 60 kilometra larg kryeqytetit, gjatë kohës së luftës në Kosovë jetonte në shtëpinë e tij me nënën dhe katër motrat, meqë babai i tij kishte ndërruar jetë para shumë vitesh.

Me 25 mars të vitit 1999 forcat serbe rrethuan lagjen ku ndodhej shtëpia e Bekimit por edhe disa shtëpi të tjera të familjes së gjerë.

“Në mëngjes herët rreth orës gjashtë, motra e madhe Luljeta doli jashtë për të marrë dru për zjarr se ka qenë kohë e ftohtë ende marsi. Kur ajo ka dalur në ballkon të shpisë, para shtëpisë e kemi një mal edhe aty ka parë forca të shumta të ushtrisë jugosllave edhe ka ardhur brenda shtëpisë na ka thënë të zgjohemi se jemi të rrethuar në të gjitha anët”, rrëfen Bekimi.

Këmbëngulja e nënës dhe motrave të tij bëri që ai të largohej nga shtëpia përmes një daljeje anësore.

“Kanë insistuar që unë të dal nga shtëpia sepse kam qenë mashkulli i vetëm në shtëpi, kanë thënë se ‘me neve që jemi gra ata nuk kanë punë asgjë’, por ti je djal mund të të marrin dhe të të vrasin”, thotë ai.

Bekimi ia doli të ikte nga shtëpia por jo të largohej shumë meqë prezenca e forcave serbe po shtohej. Prandaj ai u strehua në njërën nga shtëpitë e axhit të tij, nga kulmi gjysmë i shkatërruar i së cilës shihej oborri tjetër dhe shtëpia ku kishin mbetur nëna dhe motrat e tij.

Luljeta 31 vjec, Selvetja 28, Lumturia 17 dhe Blerta 15 vjec, u vranë në atë oborr, thotë Bekimi, derisa nëna e tij , Hyra 57 vjec, e plagosur rëndë, ishte ende gjallë dhe ai po e shihte nga kulmi.

“Nëna ka qenë ende, ka qëndruar, ka kërkuar ujë, është zgjuar në këmbë edhe një herë, i ka bërë disa hapa lëvizje nga turma dhe nuk ka mundur më…”, rrëfen Bekimi.

Atë ditë, thotë ai, forcat serbe vranë 30 persona në këtë lagje, 22 të familjes Gashi dhe 8 miq që ishin strehuar nëpër shtëpitë e tyre.

Bekimi u detyrua të ikte bashkë me të shpëtuarit nëpër male dhe shtëpi të fshatrave përreth, por kur u kthye pas shumë javësh në të njëjtin oborr nuk kishte shenja të familjarëve të tij.

21 vjet pas luftës, trupat e 17 viktimave, ndër ta motrat dhe nëna e Bekimit, nuk janë gjetur kurrë.

“Për mua vetëm një qetësi shpirtërore, nuk jam i qetë derisa nuk i kam ata edhe nuk i gjej, vetëm ajo është se nuk ka vlerë asgjë, as të dënohen, as materialisht as asgjë, vlerë për mua ka vetëm ta di një shenjë ku janë ata, të arrij një qetësi shpirtërore, sepse të dënohen me gjithcka ata mua nuk ma qetëson shpirtin asgjë”, thotë Bekimi.

Procesi i zbardhjes së fatit të të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, ka ngecur, thotë Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

“Nëse e marrim për periudha ta zëmë për një vit, për fat të keq nuk ka asnjë lëvizje pozitive, nuk ka pasur identifikime massive apo të lokacioneve të mundshme të varrezave. Janë disa raste që janë identifikuar mirëpo procesi ka ngecur, ka ngecur që shumë vite në fakt që nga rasti i fundit kur janë gjetur trupat e 51 shqiptarëve, prej atëherë nuk ka ndonjë lëvizje të madhe”, thotë zoti Blakaj.

Meqë pengesa kryesore në zbardhjen e fatit të të zhdukurve është mos bashkëpunimi i institucioneve të Serbisë me ato në Kosovë, thotë zoti Blakaj, kjo cështje duhet të ketë përparësi në marrëveshjen përfundimtare që po përpiqen të arrijnë dy shtetet me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

Është e qartë, marrëveshja si duket tentohet të mbërrihet shpejt dhe askush nuk ka iluzione se do të zgjidhet fati i të zhdukurve para arritjes së marrëveshjes. Por me rëndësi është që në marrëveshjen gjithëpërfshirëse palët të zotohen se do të bashkëpunojnë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve. Pala e Kosovës duhet ta ketë parasysh dhe të kërkojë tërë kohën që të hapen arkivat”, thotë ai.

Kosova doli nga lufta që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. Një pjesë e madhe e trupave u gjetën në varreza masive ne Serbi ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre. Varreza më e madhe është zbuluar në vitin 2001, në Batajnicë afër Beogradit, ku në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe u gjetën trupat e 800 shqiptarëve të Kosovës.

Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e 1 mijë e 643 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëvë janë të përkatësisë kombëtare shqiptare. voa

30 gusht 2020

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara