Opozita gjatë tërë kohës pohonte se për këtë iniciativë ka 41 deputetë nga 81 sa numëron Parlamenti i Malit të Zi, por siç duket nuk ia doli të sigurojë një votë nga partitë në pushtet, megjithëse nga këto të fundit u akuzua se ka zhvilluar bisedime te fshehta.
Sipas opozitës të kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Millo Gjukanoviq ,,Arsyeja për tërheqje të nismës, ishte paralajmërimi i partisë në pushtet Fronti Demokratik pro serb, i cili ka paralajmëruar se do të dorezojë iniciativën për shkurtimin e mandatit të parlamentit.
Fronti Demokratik thotë, se do të kërkojë dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme mirëpo “këtë propozim nuk e kanë pranuar partnerët e koalicionit qeverisës” dhe se Fronti nuk ka numrin e duhur për jetësimin e kësaj nisme.
Kryeministri Krivokapiq: Dështimi i mocionit të mosbesimit fitore e qeverisë
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Zdravko Krivokapiq. Pas dështimit të mocionit të mosbesimit ai në një konferencë shtypi tha, se tërheqja e opozitës është fitore për qeverine që ai udhëheq. “Kjo është loja e atyre që tentuan që me korrupsionin politik të fitojnë vota”. Kryeministri ka thënë po ashtu se Partia Demokratike e Socialistëve ka shpenzuar 20 milionë euro në tentativë për të rrëzuar qeverinë