Friday 19 July 2024
Friday 19 July 2024

Sot nuk po shohim në këtë Kishë Katedrale atë mori të madhe njerëzish si shikonim çdo vit në këtë ditë të shenjtë. Një virus shumë i vogël, por shumë i rrezikshëm, ka pezulluar kremtimin e zakonshëm e misterit që Kisha po përkujton sot. Sot Jezusi hyri në errësirën e vdekjes dhe të varrit. Isaia kishte folur për atë Shërbetor Shpëtimtar i cili, thotë Isaia, është “i përbuzur … njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje”, që “i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona!”

Por e dimë se kjo errësirë do të shndërrohet në dritë kur Jezusi do të dalë nga varri i vdekjes. Misteri i vdekjes dhe të ngjalljes së Jezusit na frymëzon atë shpresë për të cilën ne, si individë dhe si popull, kemi aq shumë nevojë sot. Dhe shpresa lind kurajë. Prandaj mos të shkurajohemi edhe në këtë situatë të tensionuar të cilën po përballojmë në këtë moment. Mos të shkurajohemi as kur dëgjojmë për numrin e madh e të prekurve nga virusi. Shqipëria ka përjetuar situata shumë të vështira, më të vështira sesa situata e tanishme.

Duke dëgjuar tregimin e mundimeve dhe vdekjes së Zotit tonë Jezu Krishtit, në atë moment kur lexuesi tha se Jezusi “uli kryet e dha shpirt”, të gjithë ramë në gjunj dhe kemi qëndruar për ca kohë në heshtje. Çfarë kemi menduar në atë moment? A kemi kuptuar se ishte vdekja e një personi krejt të veçantë, personi i Hyjit që u bë njeri, vdekja e krijuesit? A kemi shprehur mirënjohjen tonë sepse ai ka dhënë jetën e tij për ne? Dhe kur pas pak, do t’i afrohemi figurës së Krishtit të kryqëzuar, çfarë do të mendojmë? A do të jetë puthja jonë një puthje e sinqertë, ose si puthja e Judës, i cili u kishte dhënë armiqve të Jezusit atë shenjë tradhtie: “Jezusi është ai që unë do të puth. Atë kapni”? A do të jesh i denjë t’i afrohesh atij që, mbi kryq, ka falur ata që e kishin kryqëzuar, ndërsa në zemrën tënde mban inat, hakmarrje, dhe as ditën e Pashkëve nuk guxon t’i japësh dorën atij që ti e mban si armik?

Si besimtarë, vazhdimisht jemi të nxitur t’i afrohemi Zotit në lutje, dhe lutja jonë është dialogu ynë me Zotin. Por sot s’ka dialog me Zotin. Mos të flasim me Zotin. Le të lejojmë që ai, dhe vetëm ai, të flasë. Nga ana jonë kërkohet që vetëm ta dëgjojmë. E çfarë do të dëgjojmë? Pas pak, gjatë adhurimit të kryqit, do të dëgjojmë të ashtuquajturit “Ankimet” ose qortimet e Zotit. Ju lutem t’i dëgjoni me shumë vëmendje. Në këto ankesa Zoti e kujton popullin e vet, mrekullitë e mëdha që kishte bërë me të. I është treguar popullit një dashuri e veçantë. E Jezusi i drejtohet popullit dhe e pyet: Pse pra tani më përgatite një kryq? Etjen ma shove me uthull? Me heshtë ma shporove kraharorin? Më frushkullove? Më re kokës me kallam dhe ma kurorëzove me ferra? Më vare në drurin e Kryqit?

Megjithatë kryqi i Krishtit vazhdon duke shpallur dashurinë e Zotit për ne. Është një libër gjithmonë i hapur, që na mëson solidaritetin e Krishtit me ne, solidaritetin e vërtetë. Është shumë e lehtë të tregojmë solidaritet ndaj personave në pozitë të lartë ose ndaj miqve tanë. Por a jemi aq guximtarë sa të tregohemi solidarë ndaj personave që janë në pozitë shumë më të ulet sesa e jona? Ose ndaj personave që ne i konsiderojmë si armiq? Megjithatë Jezusi është treguar solidar me ne edhe kur ishim mëkatarë. Në shkrimet e tij, Shën Pali përdor dy shprehje shumë të forta për të treguar solidaritetin e Jezusit me ne mëkatarët. Korintasve Shën Pali u thotë: “Atë që nuk njihte mëkat (domethënë Jezu Krishtin), Hyji për ne e bëri mëkat”. Ndërsa Galatasve u thotë: “Krishti u bë mallkim për ne, sepse Shkrimi i Shenjt thotë: ‘I mallkuar është cilido që varet në dru’”. Ja, solidariteti i Krishtit të shenjtë me ne mëkatarët. Leximi i Parë që keni dëgjuar na tregoi sesi Krishti u bë solidar me ne: “Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz… Ai mori mbi vete vuajtjet tona…. Qe numëruar ndër keqbërës, që mbi vete t’i marrë fajet e turmave”.

Kemi dëgjuar për mëkatin e Judës, që e shiti Jezusin për tridhjetë sikla argjendi. E sa shumë besimtarë kanë shitur besimin e tyre katolik për një thes miell! Kemi dëgjuar për mëkatin e Pjetrit, që e mohoi Jezusin për tri herë sepse kishte frikë. E sa shumë besimtarë nuk afrojnë Kishën vetëm sepse kanë turp të tregojnë se janë katolikë praktikantë! Kemi dëgjuar për mëkatin e popullit, që ka parapëlqyer të lirohet një kriminel me emër Barabë sesa një person shumë njeridashës dhe i mirë me emër Jezusi. E sa herë kemi kaluar orë para televizorit ose internetit dhe e kemi gjetur të vështirë të kalojmë një orë, vetëm një orë në javë, me Zotin duke pranuar ftesën e tij që të bashkohemi me të për meshë ditën e Diel! Mëkatet që janë bërë atë natë të tmerrshme kur Juda e tradhtoi Jezusin dhe Pjetri e mohoi, si edhe në atë ditë të tmerrshme kur populli bërtiti: “Të lirohet Baraba”, janë mëkate që përsëriten edhe sot.

Çdo herë që ne lexojmë apo dëgjojmë tregimin e mundimeve dhe vdekjes së Jezusit mos të mendojmë se është thjesht një tregim i një historie që ka ndodhur para dymijë viteve. Nuk është thjesht një përkujtim i një ngjarjeje në të kaluarën. Ajo ngjarje ka qenë edhe një profeci për atë që po ndodh sot. Sepse Premtja e Madhe vazhdon edhe sot. Mos të habitemi.

Më lejoni t’ju kujtoj se në këtë ditë të së Premtes së Madhe të vitit 1947 xhelatët komunistë kanë vrarë një nga ata priftërinj katolikë që sot janë shpallur Martirë dhe të Lumë. Quhej Dom Dedë Maçaj, një meshtar i përkryer, i zellshëm, i përvuajtur, dhe i dashur. Ishte vetëm 27 vjeç. Pas torturave të papërshkrueshme, e pushkatuan. Por fjalët e tij të fundit ishin si fjalët e Jezusit mbi kryq: “Fali, o Atë, sepse nuk dinë çfarë bëjnë”.

Ja forca e dashurisë: falja e përndjekësve. Të gjithë e dini sa shumë urrejtje tregonte diktatori ndaj Kishës Katolike. Por meshtarët tanë kanë treguar një kurajë të jashtëzakonshme. Asnjëri prej tyre nuk bëri asnjë kompromis me komunizmin ateist të diktatorit. Por kanë treguar një kurajë të jashtëzakonshme edhe duke falur ata që i torturonin. Dy meshtarë që u torturuan barbarisht në burgje, Atë Anton Luli dhe Dom Zef Simoni (i cili më vonë u shugurua ipeshkëv), jo vetëm kanë thënë se kishin falur torturuesit, por kanë pasur edhe rast të takoheshin me një nga torturuesit, ta përshëndesnin, i kanë dhënë dorën, dhe kanë folur me të kinse ishte një mik i tyre. Ai që fal nuk është frikacak, por është shumë i fortë.

Jezusi po vuan edhe sot, jo në trupin e tij fizik, por në trupin e tij mistik, që është Kisha. Kur, në rrugën e Damaskut, iu duk shën Palit, që deri atëherë po kërkonte të krishterët për t’i futur në burg, Jezusi i tha: “Pse më përndjek?” Dhe sot Jezusi akuzohet në personin e shumë të krishterëve që përndiqen sepse ndjekin fenë e krishterë. Akuzohet në personin e atyre që nuk kanë asnjeri që t’i mbrojë. Akuzohet në personin e njerëzve që iu hoqën të drejtat themelore sepse janë zezakë. Vuan në personin të cilit i janë mohuar të drejtat themelore njerëzore. Vuan në atë që gjendet në një psikiatri, krejt i braktisur edhe nga familjarët e vet, sepse kanë turp të thonë se është anëtar i familjes. Vuan në atë të moshuar, në një azil pleqsh, i harruar edhe nga vetë fëmijët e tij. Vuan në atë që është në burg, i harruar nga të gjithë. Vuan në atë refugjat, i dëbuar nga atdheu i tij dhe i privuar nga çdo strehim.

Jezu Krishti ka pranuar vdekjen që të mund të jetojmë; që të bëhemi bij të Hyjit dhe jo skllevër; që të jetojmë si miq dhe jo si armiq; që të ndërtojmë ura dhe jo mure që na ndajnë nga njëri-tjetri. Prandaj le të sillemi si miq, madje si vëllezër të Jezu Krishtit kur ne sillemi si bashkëvëllezër, dhe jo si të huaj për njëri-tjetrin. Sepse ende mund të takohemi me Jezu Krishtin. Është ai që na tha: “Atë që keni bërë për njëri-tjetrin e keni bërë për mua”.

 

ARQIPESHKËVIA METROPOLITANE TIRANË – DURRËS

 

10 prill 2020

Më shumë

15 korrik 1941, kisha e Shën Prokopit gjatë ndërtimit

Komuniteti ortodoks i Tiranës, i ngulur në këtë qytet që prej shek. XVIII, veç gjallërisë që i solli qytetit, barti me vete edhe objektet e veta të kultit. Si të krishterë të ritit Lindor, ortodoksët e Tiranës, kryesisht me prejardhje vllahe- arumune, ndërtuan të parën kishë të tyren më 1780, në atë pjesë të […]

Kohë pandemie: Orthodhoksët për të dytin vit radhazi do të kremtojnë Ringjallejn e Krishtit në kushte shtëpie

E ndërsa masat lehtësuese shtohen një nga një, besimtarët orthodhoksë do të kremtojnë Ringjalljen e Krishtit edhe për këtë vit në kushte shtëpie.   “Sot është e Enjte e Madhe, sapo mora bojën e kuqe në kishë për të ngjyer vezët siç e ka tradita në këtë ditë, por zonjat që ishin tek dyqani […]

Kisha katolike: Shitblerja e votës plagë që duhet të zhduket

Dënimi me forcë i fenomenit të shitblerjes së votës, shqetësimet për kandidatët me të kaluar të dyshimtë, apo dhe sfidat me të cilat do të duhet të përballet qeveria e ardhshme që do të dalë nga zgjedhjet, ishin në qendër të një deklarate të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, pikërisht në prag të votimeve të […]

Përgjaket xhamia në qendër të Tiranës, plagosen me thikë 5 besimtarë

5 besimtarë muslimanë u plagosën sot gjatë një sulmi me thikë nga ana e një 34 vjeçari, Rudolf Nikollaj, në xhaminë Dine Hoxha, në Tiranë. Agresori, u kap nga vetë besimtarët, të cilët më pas e dorëzuan atë në polici. Besimtarët e plagosur u dërguan menjëherë në spital jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara