Monday 4 March 2024
Monday 4 March 2024

 

21 vjet më parë 55.000 trupa të NATO-s u dislokuan në Kosovë. Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt thotë se mbështetja gjermane ishte për një shtet ligjor dhe “jo një shtet si dhuratë për disa”.

 

Përfaqësues politikë, udhëheqës institucionesh e ambasadorë nga vendet demokratike të botës në Kosovë, kujtuan sot 12 qershorin, 21 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-os, që i dha fund luftës në Kosovë dhe mundësoi largimin e forcave serbe të sigurisë. Me manifestime të ndryshme gjithandej Kosovës, dislokimi i trupave të NATO-os, 21 vjet më parë, nga udhëheqësit politikë kosovarw cilësohet si ditë të veçantë, sepse gjithmonë sipas tyre kujtohen emocionet që qytetarët e Kosovës përjetonin, ndërsa trupat e NATO-s hynin në Kosovë.

 

Komandanti i tashëm i KFOR-it, gjeneralmajori Italian Michele Risi, në një deklaratë për medie duke kujtuar 12 qershorin e vitit 1999, thotë se nga ajo ditë “Kosova hyri në një periudhë të re të paqes dhe zhvillimit, gjithashtu falë kontributit të KFOR-it për mjedis të qetë dhe të sigurt si dhe liri të lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë”.  “Përmirësimi dramatik i sigurisë në terren ka çuar në zvogëlim progresiv të KFOR-it nga 55,000 trupa sa ishin në vitin 1999 në rreth 3.500 trupa tani. Ushtarët nga njëzet e shtatë shtete, përbëjnë një forcë të fortë, të besueshme dhe parandaluese, të cilët shfaqin të njëjtën frymë, angazhim dhe entuziazëm sikurse pararendësit e tyre”, tha gjenerali Risi.

 

Risi: misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar

Sipas tij, misioni i KFOR-it mbetet i pandryshuar ndërsa KFOR-i mbetet një faktor i domosdoshëm i stabilizimit për të ardhmen e Kosovës dhe për sigurinë rajonale.

 

“Besoj fuqishëm se situata stabile nga perspektiva e sigurisë është kusht i domosdoshëm për dialog dhe për bashkëpunim. KFOR-i do të vazhdojë ta japë kontributin e tij për ta kapërcyer situatën drejt një të ardhmeje më të ndritshme për gjeneratat më të reja të Kosovës”, tha generali Michele Risi.

 

Sipas tij, NATO-ja e mbështet dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe këtë e sheh si mënyrën e vetme për të arritur një zgjidhje afatgjatë.

 

“Ne mbështesim të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dhe do të mirëpresim çdo marrëveshje përfundimtare të ndërsjellë e cila do t’i kontribuojë rajonit në arritjen e paqes, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë”.

 

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, 21 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s e vlerësoi si një ditë të veçantë, duke kujtuar siç thotë “emocionet që qytetarët e Kosovës përjetonin ndërsa trupat e NATO-s hynin në Kosovë”.

 

“Është ditë e veçantë si plot ditë të tjera me rëndësi për popullin e Kosovës, por kjo është vërtetë një e rëndësishme dhe e veçantë, sepse këtë ditë secili prej nesh kemi parasysh entuziazmin dhe emocionet që kanë përjetuar qytetarët e Kosovës në ato ditë të qershori, ndërkohë që trupat e NATO futeshin në Kosovë. Ajo është memoria jonë kombëtare që dhe te jemi falënderues për mbështetjen e jashtëzakonshme që kemi pasur nga partnerët tanë ndërkombëtarë për lirinë që sot e gëzojmë”, tha kryeministri.

 

Një seancë solemne duke kujtuar 21 vjetorin e hyrjes së NATO-os, u mbajt në Kuvendin e Kosovës. Kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani, tha se “Kosovës sot i duhet unitet për paqe të qëndrueshme dhe mbrojtje të sovranitetit e territorit në Kosovë”.

 

Osmani: Të jemi unikë duke mbrojtur sovranitetin e territorit në çdo pëllëmbë

“Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë, sepse e kemi përjetuar me shekuj të tërë mungesën e saj. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e popujve në Ballkan. Historinë e kemi në krah. Kosova e ka numrin të madh të fëmijëve e grave të vrara. Në këtë ditë të lirisë, kemi një mesazh, siç ishim unikë dikur si një akt sublim, sot të jemi unikë në idenë për paqe të qëndrueshme, duke mbrojtur sovranitetin e territorit tonë në çdo pëllëmbë”, tha në fjalën e saj Vjosa Osmani.

 

Në 21 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-os, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Christian Heldt, ka thënë se përkrahja e shtetit gjerman për Kosovën ka qenë për një shtet ku sundon ligji e për një shtet demokratik dhe jo siç thotë “dhuratë për disa”. Ambasadori Hedt shkroi në twitter se “kjo ditë duhet të shërbejë si kujtim për viktimat, por edhe për obligimet që ka shteti për të ardhmen”.

 

“Në këtë ditë 21 vjet më parë, NATO-ja i dha fund një konflikti të tmerrshëm. Falënderues për më shumë se 50 mijë ushtarë të Gjermanisë që kanë shërbyer deri tani këtu. Përkulem para të gjitha viktimave. Ata na kujtojnë atë që është arritur nga ajo kohë, por edhe obligimet që duhet përmbushur. Kemi qëndruar dhe jemi për një shtet demokratik, multi-etnik, sundim të pavarur të ligjit, shërbime publike të pakorruptuara për të gjithë qytetarët, ekonomi të lirë, politika që i shërbejnë shtetit dhe njerëzve, media të pavarura kritike, liritë elementare dhe jo një shtet si dhuratë për disa”, shkroi në twitter ambasadori i Gjermanisë Christian Heldt.

 

21 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, pas sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi, që zgjatën 78 ditë, NATO-ja hyri me trupat e saja në Kosovë. 55.000 ushtarë nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 nga vendet e NATO-s u vendosën në Kosovë nën misionin KFOR. Sipas komandantit të KFOR-it, NATO-ja me trupat e saj në Kosovë vazhdon misionin që mbetet i pandryshuar si faktor i domosdoshëm i stabilizimit për të ardhmen e Kosovës dhe për sigurinë rajonale. DW

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara