Saturday 2 March 2024
Saturday 2 March 2024

 

Njohës të zhvillimeve politike në Kosovë thonë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem është çështje që u takon asaj dhe Izraelit dhe çdo ndërhyrje nga cilado palë e tretë është përpjekje për të ndikuar në pavarësinë e vendimmarrjes së Prishtinës.

 

Kosova hapi të dielën ambasadën e saj në Jerusalem duke nxitur reagimin e autoritetit palestinez, disa vendeve të Ligës Arabe dhe të Turqisë e cila u bëri thirrje udheheqësve të Kosovës “të heqin dorë nga ky hap, siç u tha, i papërgjegjshëm”.

 

Analisti amerikan, David Phillips, profesor në Universitetin e Columbias, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës tha se qëndrimi i Turqisë për vendndodhjen e ambasadës së Kosovës, është thjesht pjesë e një manipulimi më të gjerë të saj dhe një përpjekje për të shtypur vetëvendosjen dhe sovranitetin e Kosovës.

 

“Kosova mund të marrë vendimet e veta, nuk është koloni e SHBA-së ose BE-së ose e Turqisë, ajo duhet të veprojë në interesin e saj kombëtar. Sinqerisht, Turqisë nuk i bëhet vonë për Kosovën dhe dëshiron ta përdorë atë për qëllime politike dhe ekonomike. Kjo polemikë e rreme rreth vendndodhjes së ambasadës është vetëm një mënyrë e Turqisë për të projektuar ndikimin dhe fuqinë e saj dhe mbi këtë bazë Kosova duhet të refuzojë kërkesat e Turqisë. Turqia nuk po vepron në interesin kombëtar të Kosovës, ajo po ndjek një agjendë islamike dhe duhet të njihet si e tillë”, tha zoti Phillips.

 

Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, që ishte pjesë e pajtimit të arritur në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump.

 

“Është një rrjedhë logjike hapja e ambasadës në Jerusalem për arsye se ka qenë pjesë e një pakoje të marrëveshjes në Ëashington andaj ajo është kurorëzuar edhe me hapjen e ambasadës. Ka qenë kontroverse kjo çështje sidomos nga disa vende të cilat nuk kanë raporte të mira me Izraelin siç është Turqia ndonëse në të kaluarën këto dy vende kanë pasur marrëdhënie shumë të ngushta dhe bashkëpunim shumë të ngushtë, mirëpo kjo është një çështje, një vendim i një shteti sovran”, tha ish ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu.

 

Turqia radhitet e treta në mesin e investitorëve më të mëdhenj në Kosovë. Analistët besojnë se reagimet rreth hapjes së ambasadës në Izrael nuk do të kenë ndikim në marrëdhëniet dypalëshe Kosovë – Turqi.

 

“Ajo që është e rëndësishme është Prishtina dhe marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe është e rëndësishme që qeveria e re e Albin Kurtit, në formim e sipër, të veprojë në një mënyrë që përparon interesat e Kosovës në aspektin ekonomik, tregtar si dhe në aspektin e sigurisë. Unë nuk e shoh Turqinë duke tërhequr investimet e saj, kjo nuk është një perspektivë e arsyeshme”, tha zoti Phillips.

 

“Unë shpresoj që nuk do të ketë përkeqësim të marrëdhënieve me Turqinë, e kuptoj se do të ketë një lloj ftohje në këto raporte, por ne e konsiderojmë Turqinë një vend partner, një vend mik i cili ka ndihmuar Kosovën në të kaluarën dhe vazhdon të bëj këtë, por ky nuk është një akt që shkon kundër Turqisë. Është një akt në kuadër të agjendës së Kosovës për të pasur njohje ndërkombëtare dhe Izraeli përbën një shtet shumë të rëndësishëm për Kosovën duke ditur edhe rrethanat ndërkombëtare domethënë”, tha zoti Spahiu.

 

Zoti Phillips, thotë se Kosova do të bënte gabim të madh nëse i nënshtrohet trysnisë së Turqisë.

 

“Turqia ka qenë në një fushatë për të zgjeruar ndikimin e saj në rajon për vite me radhë dhe atë e bën duke eksportuar islamizëm, duke përvetësuar pasuri tregtare dhe duke bërë kërcënime. Pse duhet që qeveria e Kosovës t’i nënshtrohet presionit të Turqisë? Duhet të veprojë në një mënyrë që populli i Kosovës mendon se është në interes të vendit, duhet të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të përfunduar vendimin”, thotë zoti Philips.

 

Ministria e Jashtme turke tha të dielën se udhëheqësit e Kosovës “kanë vepruar në kundërshtim me parametrat e vendosura të procesit të paqes, duke përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara për statusin e Jerusalemit dhe duke dëmtuar vizionin e një zgjidhjeje me dy shtete dhe shpresat e paqes në rajon”.

 

Por, zoti Phillips thotë se ky argument është i paqëndrueshëm duke nënvizuar se çështja e Jerusalemit duhet të zgjidhet nëpërmjet bisedimeve Izrael – Palestinë, dhe se Kosova mund të bëjë përshtatjet e nevojshme pas përfundimit të këtij procesi.

 

Kosova u bë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në këtë qytet, një veprim që pasoi njohjen e ndërsjellë me Izraelin në shtator të vitit 2020, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesë e zotimeve në atë dakordim ishte edhe ai i Serbisë për ta zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por kjo nuk ka ndodhur ende.

 

Bashkimi Evropian e vlerësoi për keqardhje vendimin e Kosovës po ashtu.

 

“BE-ja do të kishte shumë më shumë fuqi nëse do të kishte ecur përpara me liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse nuk do të kishte pesë shtete – anëtare që këmbëngulin me kokëfortësi në mosnjohjen e Kosovës. Pra, ajo që BE-ja ka për të thënë në lidhje me këtë çështje në të vërtetë nuk është e rëndësishme, as pikëpamja e Turqisë nuk është e rëndësishme”, tha profesori Phillips.

 

 

Në fund të vitit 2017, ish presidenti amerikan Donald Trump, shpalli vendimin e qeverisë së tij për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe në maj të vitit 2018 hapi ambasadën në atë qytet. Guatemala është vendi i dytë që zhvendosi ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem.

 

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara