Friday 12 April 2024
Friday 12 April 2024

 

Qeveria shqiptare përdori një akt normativ për të rritur huamarrjen e planifikuar në buxhetin e shtetit 2020 me afro 312 milionë euro, ndërsa parashikon që ekonomisë t’i mungojnë 51 miliardë lekë ose 430 milionë euro nga plani i fillimvitit. Nuk ka asnjë kursim të shpenzimeve për koncesione.

 

Qeveria shqiptare miratoi me akt normativ huamarrje të re për buxhetin e këtij viti për të kompensuar pasojat e krizës së pritshme ekonomike të shkaktuar nga Pandemia COVID-19 si dhe kostot e pritshme për shpenzime shëndetësore për trajtimin e të sëmurëve nga kjo sëmundje.

 

Akti Normativ me fuqinë e ligjit është një instrument kushtetues që i lejon qeverisë, në kushtet e emergjencës kombëtare, të ndërmarrë një nismë ligjore që hyn në fuqi menjëherë, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 45 ditë afat për ta shqyrtuar dhe miratuar.

 

Sipas këtij Akti Normativ, borxhi publik i Shqipërisë në fund të këtij viti pritet të rritet në 1.2 trilionë lekë ose 9.98 miliardë euro. Në buxhetin e mëparshëm kufiri i borxhit ishte 1.16 trilionë lekë ose 9.66 miliardë euro.

 

Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të jetë 1.74 trilionë lekë ose 52 miliardë më pak se sa plani i fillimvitit.

 

Borxhi publik si përqindje e PBB-së pritet të rritet në 69%. Të ardhurat e qeverisë vlerësohet të jenë 28.1% e PBB-së ndërsa shpenzimet, 32.1%.

 

Akti Normativ parashikon të ardhura 20 miliardë lekë më pak se sa buxheti i miratuar në dhjetor ndërsa shpenzimet planifikohet të rriten me 9 miliardë lekë.

 

Akti Normativ parashikon një “fond anti-COVID” në masën 2.5 miliardë lekë ndërsa 6.5 miliardë lekë i jepen një shpenzimi të quajtur “paketa sociale anti-COVID-19”.

 

Shqipëria hyri në krizë nga 12 Marsi 2019 pasi qeveria u detyrua të ndalojë qarkullimin e njerëzve për të imponuar atë që epidemiologët e quajnë “distancim shoqëror”, për të ndaluar qarkullimin e mëtejshëm të koronavirusit të ri.

 

Ekonomia u paralizua në një pjesë të madhe të saj, përfshirë turizmin, transportin e udhëtarëve dhe shërbimet, gjë që pritet të shkaktojë humbje të mëdha në numrin e të punësuarve dhe të lërë një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve pa paga. Sektori i tregtisë dhe prodhimit të ushqimeve, që në Shqipëri zë një pjesë jo të vogël të konsumit total (rreth 40%), pritet të mbetet jo shumë i dëmtuar.

 

Njësoj si në rastin e tërmetit të vitit 2019, kryeministrit Edi Rama iu shtrua pyetja nëse ai mendon se në kushtet e një krize të tillë mund të anulojë ndonjë nga koncesionet kontroverse të akorduara nga qeveria e tij gjatë viteve të fundit. Buxheti i paraqitur në Aktin Normativ duket se nuk parashikon asnjë ndryshim në këtë drejtim. Qeveria parashikon një fond shtesë prej 9 miliardë lekësh mbi programin e shpenzimeve të buxhetit fillestar dhe asgjë tjetër. Ndonëse mund të arsyetohet se mbyllja e ekonomisë do të rrisë të papunët punëkërkues që kanë të drejtë ligjore të pagesës së papunësisë, qeveria nuk planifikon asnjë rritje të fondit për këtë pagesë papunësie. Akti Normativ parashikon gjithashtu të njëjtin nivel të ardhurash për sigurimet shoqërore e shëndetësore si buxheti 2020, duke supozuar në këtë mënyrë se kurrfarë mungesash në të ardhurat nga këto dy zëra nuk do të shënohet nga paralizimi i përgjithshëm i ekonomisë për shkak të pandemisë.

 

 

 

 

  • Buxheti 2020       Akti Normativ                    Ndryshimi           Në % të PBB

 

 

Borxhi                  1,159,644                1,197,139               37,495                   68.7

Të ardhurat        509,675                 489,675                  -20,000                 28.1

Shpenzimet        549,374                 558,374                   9,000                     32.1

PBB                     1,793,466                1,741,639                 51,827                 100.0

 

 

Gjergj Erebara – BIRN Tiranë

22 mars 2020

Më shumë

Politikat e copëtuara për bujqësinë

Shqipëria është vendi më bujqësor në Europë, me këtë sektor jetik që sjell gati 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Pavarësisht rënies së fortë në krahasim me fillimin e viteve ’90, kjo peshë është shumë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian (2%) dhe gati dy herë më e lartë se […]

Shqiptarët shpenzuan 13.6 milionë euro në 9 muaj për të siguruar pronat, si ndahet tregu mes kompanive

Për nëntë muajt e parë të këtij viti, shqiptarët shpenzuan rreth 1.67 miliardë lekë ose rreth 13.6 milionë euro për sigurimin e pronave.   Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se primet e shkruara bruto nga sigurimet e pronës u rritën me 31% krahasuar me të njëjtën periudhë të një […]

Drafti: Rritet kufiri i pagës së pataksueshme në 40 mijë lekë, përgjysmohet nga 30-50 mijë lekë, pragu për shtresën e mesme bëhet 200 mijë lekë

Nga korriku i vitit 2022 pritet që të ndryshojë sërish tatimi mbi pagat, duke rritur si dyshemenë për kufirin e pataksueshëm të pagës minimale në 40 mijë lekë (nga 30 mijë lekë që është sot), po ashtu dhe kufirin mbi të cilin pagat taksohen me normën maksimale prej 23%, në 200 mijë lekë, nga […]

Çmimet e naftës shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj, arrijnë 184 lekë, afër rekordit historik

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.   Në pikat e tregtimit të“Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara