Thursday 20 June 2024
Thursday 20 June 2024

 

Udhëheqësit e Lidhjes Social Demokrate dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti finalizuan të martën marrëveshjen për koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve të 15 korrikut.

 

Zoti Zaev do të jetë kryeministër për pothuajse gjithë mandatin, por sipas marrëveshjes në njëqind-ditëshin e fundit, posti i kreut të qeverisë do t’i lihet partisë shqiptare. Kryetari i parlamentit do të jetë nga radhët e BDI-së. Talat Xhaferi do të vazhdojë të qëndrojë në krye të legjislativit.

 

As zoti Zaev as zotit Ahmeti nuk dhanë hollësi të tjera lidhur me ndarjen e ministrive të rëndësishme, si ajo e Rendit, e Financave apo e Mbrojtjes.

 

Ata thanë në një konferencë të përbashkët shtypi se marrëveshja u arrit përmes një veprimi të guximshëm të të dyja palëve.

 

Socialdemokrati Zaev tha se “marrëveshja e koalicionit për krijimin e shumicës parlamentare, për ndarjen e përgjegjësive, përbërjen dhe parimet e qeverisë së re me mandat të plotë do t’i përkushtohet në katër vitet e ardhshme interesit të qytetarëve dhe të shtetit”. Ai shtoi se marrëveshja do të kalojë sonte dhe nesër në organet më të larta të të dy partive siç janë Këshillat Qendrorë për t’u miratuar, raporton voa.

 

Edhe Partia Demokratike Shqiptare do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës si dhe Lëvizja Besa që doli në zgjedhje bashkë me LSDM-në.

 

Zoti Zaev shprehu mirënjohje për ate që e cilësoi: “madhështi, durim e mençuri” nga ana e zotit Ahmeti për këtë marrëveshje.

 

Zoti Ahmeti tha se është shumë i bindur se ky vendim i marrë sot do të mirëpritet nga çdo qytetar i vendit dhe nga partnerët që kanë ndihmuar shtetin në rrugën e tij drejt integrimit euro-atlantik. Ai iu shmang pyetjeve lidhur me tërheqjen nga këmbëngulja e deritashme për një kryeministër shqiptar, ndërsa tha se deri tani shqiptarët në qeveri kanë dëshmuar forcimin e besimit mes komuniteteve.

 

“Çështja e kryeministrit ka qenë dhe mbetet një porosi që afron dhe që komuniteti shqiptar të dëshmojë për një republikë më të fortë dhe më të qëndrueshme me qytetarë të bashkuar”, tha Ahmeti. Ai e quajti të guximshëm vendimin e zotit Zaev që në njëqind ditët e fundit vendin t’ia lërë në dorë një përfaqësuesi të BDI-së.

 

Marrëveshja u arrit në kuadër të afatit prej 20 ditësh nga seanca hapëse e parlamentit.

 

Lidhja Social Demokrate me katër deputetët e Lëvizjes Besa ka 46 vende dhe me 15 deputetët e BDI-së përbëjnë shumicën e nevojshme prej 61 votash në parlament për ta miratuar kabinetin e ri qeveritar, ndërkohë që koalicionit i bashkohet edhe deputeti i vetëm i Partisë Demokratike Shqiptare.

 

Social-demokrati Zoran Zaev ka paralajmëruar qysh në fushatë se do ta zvogëlonte numrin e anëtarëve në kabinet duke hequr shtatë ministrat pa portofol.

 

Ndërkohë edhe sot kanë vazhduar përplasjet midis BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët. BDI-ja akuzon këtë të fundit për mungesën e dinjitetit dhe përpjekjet për minimin e bisedimeve për qeverinë “duke u endur korridoreve të LSDM-së dhe VMRO-së me lutje për mosrealizimin e kërkesave të shqiptarëve”, siç thuhet në një komunikatë.

 

Nga ana tjetër “Aleanca” kërkonte nga BDI-ja që të kalojë në opozitë për shkak se nuk arriti ta realizojë premtimin për “kryeministrin e parë shqiptar” në Maqedoninë e Veriut, që ishte një mashtrim, sipas saj, i elektoratit shqiptar.

 

Sidoqoftë, qeverinë e re e presin shumë sfida, si ballafaqimi me pandeminë e koronavirusit, lufta kundër korrupsionit, bisedimet me Bashkimin Evropian dhe reformat në gjyqësor.

 

LSDM-ja dhe BDI-ja pritet të vazhdojnë edhe realizimin e një sërë premtimesh që nga mandati i kaluar, siç është vetingu i politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve të larta, apo pastrimi, siç e quan z. Zaev i radhëve të prokurorëve dhe gjykatësve nga të korruptuarit, e më pas regjistrimi i popullsisë e reforma të tjera.

 

Më shumë

Zgjedhjet lokale: Bilall Kasami kryetar i Tetovës

Partia opozitare në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE, shpalli të dielën mbrëma fitoren në shumicën e komunave në raundin e dytë të zgjedhjeve për pushtetin lokal.   Ndërsa nga partitë shqiptarë, Bashkimi Demokratik për Integrim tha se është fituese në këto zgjedhje, ndonëse humbi Tetovën që vlerësohet si komuna me e rëndësishme për shqiptarët […]

Maqedonia e Veriut shënon 30 vjetorin e pavarësisë

Me rastin e festimit të kësaj dite, në qendër të kryeqytetit do të parakalojnë punonjësit shëndetësorë, sportistët, zjarrfikësit, policia dhe ushtarët, minatorët, fermerët, vullnetarët e Kryqit të Kuq, si dhe ansamble kombëtare dhe shoqatat kulturore dhe artistike.   Festa qendrore do të jetë e hapur para Kuvendit duke filluar nga ora 17:30 dhe […]

Digjet spitali në Tetovë – viktima dhe të plagosur

Një zjarr përfshiu të mërkurën mbrëma spitalin në Tetovë ku ishin të shtrirë të sëmurë nga COVID-19 duke lënë pas vetes viktima të dhe të plagosur.   Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se deri tash janë konfirmuar 10 viktima, por numri mund të rritet.   Në Tetovë ndodhet […]

20-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit u bë i mundur pas luftës së armatosur të vitit 2001. Marrëveshja u realizua me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare.   Qeveria e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me programin për ndërtimin e paqes dhe të drejtat e njeriut në Universitetin Columbia organizoi panelin ndërkombëtar “Përtej Ohrit”.   Në panelin ndërkombëtar […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara