Sunday 21 April 2024
Sunday 21 April 2024

49 refugjatë të pashoqëruar minorenë pranon Gjermania, megjithë krizën e Coronës. Shumë pak, thonë kritikët. BE e ka lënë vetëm Greqinë, e ky vend po shkon drejt

 

Zakonisht Aeroporti i Athinës është plot me turistë apo njerëz të biznesit. Vetëm në vitin 2019 aty kanë kaluar 29 milionë pasagjerë. Këtë vit pritej që rekordi të thyhej. Por në krizën e Coronës, korridoret janë bosh, megjithë festën ortodokse greke të pashkëve. Një nga avionët që u nis të shtunën e pashkëve ortodokse mori rrugën drejt Hanoverit në Gjermani. Në bord 49 refugjatë minorenë të pashoqëruar. 58 minorenë duhej të vinin, por një pjesë është e sëmurë, jo me Corona, dhe të udhëtojë më vonë.

 

Megjithë masat e sigurisë për shkak të pandemisë, ata lejohet të vijnë në Gjermani. Një pjesë e minorenëve i pranoi Luksemburgu javën që shkoi. Por situata në kampet greke të refugjatëve nuk do të përmirësohet me ardhjen e këtyre pak minorenëve.

 

 

5200 minorenë të pashoqëruar në Greqi

Europa kishte premtuar në mars pranimin e 1600 minorenëve të pashoqëruar. Por erdhi kriza e Coronës, dhe qeveria gjermane fillimisht vendosi të ndërpresë pranimin e refugjatëve. Ministria e Punëve të Brendshme e pyetur nga Deutsche Welle, bëri të ditur, se ky vendim nuk prek fëmijët minorenë, që do të evakuohen si është premtuar, por për një kohë të gjatë nuk u bë asgjë.

 

Që tani lejohet të vijnë 70 minorenë, nga shumë organizata humanitare vlerësohet jo më shumë se një gjest i mirë. Për shkak të situatës katastrofike në kampet greke, shpresat ishin në fillim shumë më të mëdha. Zhgënjimin nuk e zbut as deklarata e dhënë të shtunën nga ambasadori gjerman në Athinë, Ernst Reichel. Ai tha para medias, se në Gjermani do mund të vijnë 350-500 minorenë të pashoqëruar. Se kur, kjo nuk është e qartë.

 

Për Philippe Leclerc, drejtuesin e organizatës së OKB-së, UNHCR në Greqi, ky është një fillim, edhe pse shumica e vendeve u tërhoqën nga premtimi për pranimin e refugjatëve të rinj. Pas shumë thirrjesh për ndihmë, u fillua me pranimin e fëmijëve nën 14 vjeç, që qëndronin në kushte jonjerëzore në kampe. Nevoja është urgjente, thotë Leclerc. „Prej më shumë se një viti situata në ishujt, Lesbos, Samos, Kos është e padurueshme. Në Samos kapacitetet janë tejkaluar më shumë se 11-fish.” Sidomos në kohët e Coronës kjo gjendje është e papranueshme dhe Greqia nuk duhet lënë vetëm, sipas tij.

 

Rënia ekonomike për shkak të Coronës?

Vasilis Papadopoulos ka ndërkohë shqetësime të tjera. Presidenti i Këshillit të Refugjatëve në Greqi, GCR vret mendjen për kohën pas Coronës. Greqia do të futuet në një krizë të re ekonomike për shkak të virusit, thotë ai. „Do ketë probleme me integrimin”. E kjo prek më shumë fëmijët. „Më shumë se 1000 refugjatë të pashoqëruar, nuk kanë as strehë të përhershme, jo më shkollim apo të ardhme.”

 

Papadopoulos e di, se koha nuk pret. Aktualisht Greqia është në gjendje të jashtëzakonshme. Qeveria e Athinës është krenare, që me masa të rrepta e ka mbajtur nën kontroll virusin. Çdo dalje tekd era duhet justifikuar dhe protokollohet. Ka gjoba për ata që dalin pa arsye në rrugë. Pikërisht në kohën e pashkëve ortodokse u ndalua qarkullimi në autostrada. Synimi është ndalimi i vizitave familjare që mund të sjellë përhapjen e mëtejshme të virusit. Rrugët në Selanik e Athinë janë gati bosh. Policia kontrollon gjithkund.

 

 

E ardhmja e pasigurtë – për grekët e migrantët

Corona sundon jetën e qytetarëve dhe mediat. Edhe vëmendja për pranimin e 58 fëmijëve minorenë nga Gjermania nuk është e madhe. Para Coronës, një numër kaq i vogël do të kishte shkaktuar një valë zemërimi. Tani njerëzit interesohen më shumë, nëse refugjatët i respektojnë masat kufizuese apo nëse përhapja e virusit në kampe mund të kthehet në rrezik për popullsinë lokale. Pas disa javësh pauze, qeveria greke do të fillojë të shpërndajë 2300 refugjatë të rrezikuar nga kampet në hotele. Në rast nevoje edhe kundër vullnetit të pronarëve.

 

Për shumicën e grekëve në epiqendër janë shqetësimet për të ardhmen. „Unë jetoj nga ardhja e turistëve në verë. Kemi ujdi konkrete me hotelet. Nëse në verë nuk vjen askush, nuk e di se çfarë do të bëj”, thotë një taksist. Ai nuk shpreson në ndihmën e BE. Pas vitesh krize, besimi tek Europa ka rënë. Askush nuk beson, që Athina dhe Brukseli, do mund të zbusin rënien e thellë ekonomike që parathonë ekspertët.

 

70 minorenët që shpresojnë tani për një të ardhme më të mirë në Gjermani e Luksemburg lenë pas vetes një vend me shumë shqetësime. Si grekët ashtu edhe migrantët nuk e dinë, se çfarë do të sjellë e ardhmja. DW

 

18 prill 2020

 

Më shumë

Merkeli më e preferuar se Macroni për të drejtuar Evropën

Mijëra qytetarë të BE e vlerësojnë Gjermaninë si përfaqësuese të besueshme të interesave të tyre. Evropianët, madje edhe francezët do ta preferonin Merkelin si lidere përpara presidentit Macron, shkruan Auron Dodi. Kandidatët për kancelarë në zgjedhjet parlamentare këtë vit në Gjermani mund të ëndërrojnë për kuotat e mbështetjes të kancelares Merkel. Në fund të […]

Konfuzion në lidhje me hyrjen e personave të vaksinuar në BE

Rregullat e hyrjes në BE për njerëzit e vaksinuar janë të pakuptueshme, sepse çdo shtet anëtar bën të vetën. Nevojë për sqarim ka edhe për Ballkanin.   Çertifikata e vaksinimit e BE që hyri në fuqi zyrtarisht në 1 korrik është një dokument, i cili supozohet se lehtëson udhëtimet brenda BE. Por atë mund […]

Francezët ndëshkojnë Macron, partia e presidentit pikiatë në zgjedhjet rajonale!

Francezët mbështeten konservatorët në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale duke i nxjerrë ata fitues me votën e tyre, e duke renditur në vend të pestë partinë e presidentit Emmanuel Macron.   Konservatorët e shohin kështu shumë më real shansin për ta përmbysur Macronin vitin që vjen. Partia e ish presidentit, Sarkozy, Les Republicans […]

Cila do të jetë politika e jashtme gjermane nën një kancelar Armin Laschet?

Konservatori Laschet dëshiron ta zhvillojë Evropën me një bërthamë shtetesh vullnetare, të orientuara te Gjermania dhe Franca. Ai ka për ushtrinë, Kinën e Rusinë pikëpamje të ndryshme nga Të Gjelbrit, shkruan Auron Dodi. Fjalimi programatik i Armin Lashetit, kryetarit të partisë së kancelares Merkel, CDU dhe kandidatit për kancelar të CDU/CSU-së i drejtohej si […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara