Thursday 30 May 2024
Thursday 30 May 2024

 

Ministri i Jashtëm slloven, Anze Logar tha sot se nuk ka asnjë “non-paper” në Ballkanin Perëndimor që disa media ia atribuojnë Sllovenisë.

 

Sipas tij, diskutimet për këtë dokument e kanë dëmtuar Slloveninë si dhe Bosnje e Hercegovinën.

 

Në seancën e komitetit parlamentar për politikën e jashtme, ministri slloven nënvizoi se strategjia e Sllovenisë ndaj Ballkanit Perëndimor nuk ka ndryshuar dhe se Sllovenia ka bërë përpjekje shtesë, pasi përgatitja e samitit BE-Ballkan Perëndimor është prioriteti kryesor për Slloveninë gjatë presidencës së ardhshme të BE-së.

 

“Askush nuk pret që politikanët e opozitës ta denigrojnë vendin e tyre vetëm për ta dëmtuar shtetin në njëfarë mënyre. Thjesht nuk ekziston në një mentalitet të zhvilluar demokratik”, u citua Logar të thoshte nga agjencia e lajmeve STA e Sllovenisë.

 

Deklarata e tij pasoi një seancë të Kuvendit të kërkuar nga opozita pasi raportimet e mediave thonë se kryeministri Janez Jansha e kishte lëshuar një “non-paper” në lidhje me rivendosjen e kufijve përgjatë vijave etnike në Ballkan.

 

Deputetët donin që Jansha, i cili mohoi të kishte lidhje me këtë “non-paper” të botuar, të paraqitej drejtpërdrejt, por ai nuk mori pjesë në seancë, duke përmendur një angazhim tjetër si arsye, transmeton Express.

 

Këshilltarja për politikën e jashtme e presidentit slloven Borut Pahor, Smiljana Knez, u tha deputetëve se presidenti i kishte kushtuar vëmendje të madhe rajonit gjatë viteve dhe se ai ishte avokat i ruajtjes së integritetit territorial të vendeve në rajon dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të ndërsjella në frymën e fqinjësisë.

 

Ajo deklaroi se Pahor paralajmëroi udhëheqësit rajonalë dhe institucionet e BE-së se zgjerimi i BE-së nuk mund të jetë vetëm një proces teknik, por duhet të jetë i kornizuar gjeopolitikisht.

 

Këshilltarja e presidentit përsëriti deklaratën e Pahor se presidenti nuk ishte informuar për ndonjë “non-paper” në lidhje me Ballkanin Perëndimor që ishte objekt i raportimeve të medias.

 

Kreu i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Slloveni, Jerneja Jug Jershe tha se Komisioni Evropian nuk ka njohuri për dokumentet joformale në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

 

Zyrtarët e BE-së në përgjithësi thanë se nuk dinin për një “non-paper” të tillë, ndërsa Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i cili tha dje se nuk e kishte marrë një dokument të tillë por kishte dëgjuar për të, tha se ishte “pyetje inekzistente”.

 

I njëjti mesazh u dërgua nga Janez Stusek, drejtori i agjencisë sllovene të inteligjencës SOVA, i cili tha se agjencia nuk kishte asnjë informacion në lidhje me ekzistencën e një “non-paper” të pretenduar.

 

Agjencia filloi t’i shqyrtojë disa aktivitete në lidhje me dokumentin pasi ai u botua në media, veçanërisht pasojat e tij të mundshme për marrëdhëniet bilaterale me Bosnje e Hercegovinën dhe presidencën e ardhshme të BE-së.

 

Sipas Stusek, agjencia nuk ka informacion që tregon se botimi i dokumentit përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare të Sllovenisë, por ai vlerësoi se nëse “non-paper” e pretenduar vazhdon të lidhet me Slloveninë, kjo mund të rrezikojë sigurinë e saj ekonomike dhe interesat politike në rajon.

 

E gjithë historia nisi në 12 prill, kur një portal boshnjak botoi një artikull ku thuhej se kishte një “non-paper” plan për ndyshimin e kufijve në Ballkan, që i atribuohej Sllovenisë. Dokumenti jozyrtar që flet për ridefinim të kufijve në Ballkan, konkretisht shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. /Express

Më shumë

Lira në rënie drastike, të huajt dynden për të blerë banesa në Turqi

Shitjet e banesave në Turqi për të huajt u rritën me 48.4% në një nivel rekord në nëntor, sipas shifrave zyrtare të publikuara sot, pasi një rënie e lirës turke bëri që blerjet të jenë dukshëm më të lira për ata që blejnë me valutë “të fortë”.   Tregu i pasurive të paluajtshme […]

BIRN hap ekspozitën në nder të gazetarëve të vrarë në luftërat në Ballkan

  Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative do të hapë një ekspozitë dhe do të botojë një libër që përkujton gazetarët dhe punonjësit e medias që u vranë gjatë dhe menjëherë pas shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë.     Një ekspozitë e BIRN, e titulluar “Last Despatches”, do të hapet në Sarajevë më 14 dhjetor […]

Maqedoni e Veriut: Alternativa bëhet pjesë e koalicionit qeveritar

Partia opozitare Alternativa është bërë pjesë e koalicionit qeveritar në RMV. Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi kanë nënshkruar marveshjen 9 pikëshe për hyrjen e Alternativës në Qeveri.     Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se kjo marrëveshje paraqet një qëndrueshmëri politike për të hapur negociatat me BE-në, […]

Kosovë-Serbi: Normalizim i marrëdhënieve apo bllokim?

Kosova dhe Serbia në javën e fundit ashpërsuan retorikën politike me akuza dhe kundërakuza dhe ndaluan vizitat e ndërsjella të zyrtarëve qeveritarë, duke bërë kështu që të reagojë edhe Bashkimi Evropian. Autoritetet e Prishtinës i ndaluan hyrjen në Kosovë kreut të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, njëherësh edhe drejtues i […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara