Thursday 30 May 2024
Thursday 30 May 2024

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të mërkurën se do t’i ofrojë mandatin për formimin e qeverisë së re, kujtdo që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

 

Ai i bëri këto komente, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të diskutuar rrugëdaljen nga kriza politike pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i lëvizjes Vetëvendosje.

 

Përfaqësuesja e lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha se kjo parti nuk e ka refuzuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për të emëruar mandatar të ri për kryeministër dhe vet takimi këshillues i organizuar prej tij paraqet shkelje kushtetuese.

 

Presidenti i Republikës mund të konsultohet vetëm më partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në kuvend, qoftë shumicë absolute apo relative. Pra, ky format sot është jokushtetues. Këtë e thotë edhe Kushtetuta e Republikës se Kosovës, e thotë edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha zonja Haxhiu, njëherësh ministre në detyrë e Drejtësisë.

 

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pas pandemisë. Zonja Haxhiu i tha presidentit se “nuk mund të ketë qeveri me legjitimitet të plotë qytetar pa shkuar në zgjedhje”.

 

Partitë e tjera politike u shprehën kundër zgjedhjeve në këtë periudhë. Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa tha se duhet bërë përpjekje “që të themelojmë një qeveri e cila ka mandat nga kuvendi dhe mund ta qeverisë vendin në mënyrë normale. Ne vlerësojmë se qeveria në detyrë e cila e vazhdon punën nuk u përgjigjet në tërësi kërkesave që parashtrohen ndaj saj sepse kuvendi tashmë ka shpreh mosbesim ndaj saj”.

 

Ai tha se LDK-ja është e gatshme “të sigurojë shumicën si parti e dytë në qoftë se neve na ofrohet kjo përgjegjësi dhe mendoj që këtë duhet ta bëjmë bashkërisht mirëpo po ashtu vlerësoj plotësisht pozicionimin dhe deklarimin e çdo subjekti për këtë çështje”. Tashmë zoti Mustafa ka diskutuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate për formimin e qeverisë së re.

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, tha se situata është e tillë që e pamundëson mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

 

Por në anën tjetër edhe nëse dëshirojmë ta lëmë këtë qeveri nuk mundemi sepse veprimet që po i bënë janë tërësisht jo ligjore dhe jo kushtetuese. Pra jemi në një situatë në të cilën ju si president e keni mandatin kushtetues është obligim i juaji që të bëni interpretimin e Kushtetutës, të jeni ai gardian i Kushtetutës dhe t’i jepni zgjidhje kësaj situate e cila nuk është e rrezikshme vetëm politikisht por qenësisht për kombin tonë”, tha ai duke nënvizuar se partia e tij nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie dhe do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

 

Partitë tjera politike përfshirë edhe ato të pakicave kombëtare u shprehën kundër mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe në favor të formimit të një qeverie të re.

 

Duke përmbyllur këshillimin, presidenti Thaçi, tha se “do t’i jap mandatarin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon që ka shumicën në Kuvend për të krijuar qeverinë e re. Nuk është në diskrecionin tim të propozojë kandidatin e tillë. Siç e dini të gjithë, qeveria rrjedh nga fuqia mbizotëruese brenda për brenda Kuvendit të Kosovës, prandaj propozimi duhet të rrjedh nga partia politike ose koalicioni i cili do të ketë gjasa më të mëdha që të formojë qeverinë, duke i parë edhe deklarimet tuaja këtu, do t’i marr votat e nevojshme në Kuvend për të ruajtur stabilitetin e vendit duke iu përmbajtur kritereve mbizotëruese për formimin e qeverisë së re”.

 

Ai tha se takimi i sotëm ndodhi “pas pesë letrave me radhë që si president i vendit i kam dërguar kryetarit të partisë Vetëvendosje. Mund të konstatoj nga deklarimi juaj si përfaqësues të partive politike që përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës sot deklaruan vullnetin e tyre të 91 deputetë në favor të mundësisë së shikimit për krijimin e qeverisë së re”, tha ai.

 

Zoti Kurti deri tash nuk ka pranuar të dërgoj ndonjë emër dhe kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje pas pandemisë së COVID-19-tës.

 

Jo, nuk hezitojmë t’ju përgjigjemi. Jo, nuk e refuzojmë kërkesën tuaj. Por jam i detyruar te përsëris atë qe kam pyetur ne letrën time te fundit, e për të cilën nuk kam marrë përgjigje. Shprehimisht kam thënë: E kam të qartë që situata aktuale nuk lejon mbajtjen e zgjedhjeve, dhe kjo është diçka që ne nuk po kërkojmë te behet tani, par sapo te krijohen kushtet pas kalimit te pandemisë. Mirëpo ajo që nuk e kam te qartë është standardi i dyfishte qe Ju dhe partitë politike po tentoni ta impononi ne rruge jokushtetuese, pas këtij mocioni mosbesimi i cili nuk dallon ne aspekt formal dhe material nga praktikat e mëhershme. Ndoshta do të mund të na sqaroni ketë?”, shkroi zoti Kurti në një letër dërguar presidentit Thaçi më 17 prill.

 

Në të gjitha kërkesat e tij, presidenti Thaçi, mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.

 

Lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Kurti kërkojnë që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.

 

Zoti Kurti thekson se njësoj është vepruar edhe në të kaluarën, ndërsa të hënën në një bashkëbisedim me gazetarë e analistë të të organizuar nga “Presseclub Concordia” me seli në Vjenë, ai tha që “nëse presidenti dëshiron të shkelë Kushtetutën dhe vullnetin e popullit, ne do të ngritemi dhe nuk do të rrimë duke shikuar se si demokracia jonë po vdes”.

 

Zoti Kurti paralajmëroi që nëse presidenti nis formimin e qeverisë, siç ka paralajmëruar, Vetëvendosje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

 

Por, nuk besoj se mund t’i ndalim njerëzit të protestojnë dhe mendoj se mund të ndodhë destabilizimi”, tha ai.

 

Kosova mbeti me qeveri në detyrë pasi që parlamenti miratoi me 25 mars një mocion të Lidhjes Demokratike te Kosovës, për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Koalicioni u përça për shkak se Lidhja Demokratike kërkoi që tarifat ndaj mallrave serbe të hiqen në tërësi sipas kërkesës së Shteteve të Bashkuara që tashmë kanë pezulluar programe dhe kanë paralajmëruar sanksione të tjera nëse kjo nuk ndodhë.

 

Tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 janë hequr që nga një prilli nga qeveria e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, por duke vendosur masat e reciprocitetit me Serbinë.

 

Vendimi i tij u mbështet nga vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa u kundërshtua nga Shtetet e Bashkuara.

 

Aktualisht të gjitha partitë tjera politike kërkojnë që të formohet një qeveri e re dhe të shmangen zgjedhjet e reja. Partia Demokratike ka paralajmëruar se do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Lidhja Demokratike tashmë është duke biseduar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate për mundësinë e formimit të qeverisë së re.(b.a.) VOA

22 prill 2020

Më shumë

Kosova ftohet në takimin e lartë për demokraci

Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, Joe Biden më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me […]

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.   Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën […]

Kosova vendos sanksione për shtatë individë dhe një kompani për lidhje me Hezbollahun

Qeveria e Kosovës u vendosi sanksione shtatë afaristëve dhe një kompanie për lidhje me grupin ushtarak të Libanit, Hezbollah.   Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha se sanksionet vendosen në pajtim me Rezolutën 1373 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj shtatë individëve dhe një kompanie “për lidhjet e […]

Kërcënohet kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Masa të shtuara të sigurisë janë parë të mërkurën mbrëma përreth shtëpisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.   Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se kryeministri Kurti është kërcënuar dhe për këtë arsye, “si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara