Prej dy muajsh fluturimet përmes aeroportit ndërkombëtar te Kukësit janë ndërprerë.
Dy kompanitë ajrore Air Albania dhe Helvetica nuk kanë programuar fluturime të tjera dhe sipas drejtorit të aeroportit Altin Progonati kjo ndërprerje ka të bëjë me rënien e fluksit te fluturimeve apo edhe udhëtareve për sezonin e dimrit.
Fluturimet pritet te rinisin në fund të muajit shkurt, fluturime këto që sipas drejtorit Progonati, pritet të shtohen me dyfish apo trefish të tyre e po aq edhe shtimi i destinacioneve të tjera.
Megjithëse nuk ka fluturime, në aeroportin e Kukësit punohet çdo ditë me kapacitet të plotë të punonjësve, pasi ka punë të tjera që kanë të bëjnë me mirëmbajtje e meremetime në aeroport. Progonoti thotë se aeroporti i Kukesit, është certifikuar që ditën e parë dhe s’ka vend për spekulime rreth procesit të certifikimit apo operacioneve të fluturimit, duke nënvizuar se aeroporti i Kukesit është ndërtuar sipas standarteve ndërkombëtar te aeroporteve dhe i plotëson më së mire këto standarde.
Aeroporti i Kukesit, nisi operacionet e fluturimeve në datën 9 qershor të këtij viti me dy kompani ajrore, me destinacionet Zyrih e Stamboll. Gjatë periudhës së funksionimit të tij, në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit vetëm në korrik e gusht u përpunuan me shumë se 8 mijë pasagjerë.