Thursday 30 May 2024
Thursday 30 May 2024

 

Kur kanë mbetur për t’u numëruar dhe pak kuti nga votimet e së dielës për parlamentin e ri, rezultati konfirmon fitoren e tretë radhazi të Partinë socialiste të Kryeministrit Edi Rama.

 

Kjo forcë politike ka siguruar deri më tani 74 mandate, ndërsa Partia Demokratike dhe koalicioni që ajo udhëhoqi 59 mandate.

 

Vetëm 4 vende të tjera për Lëvizjen Socialiste për Integrim, forcën tjetër të opozitës.

 

Diferenca mes dy krahëve është prej 11 mandatesh, por ajo mund te shkojë dhe përtej, pasi Partia Socialdemokrate e cila mori në mënyrë surprizë 3 mandate, ka shprehur publikisht gatishmërinë për të bashkëpunuar me socialistët.

 

Harta e 12 qarqeve të vendit, sheh veriun e Shqipërisë të kontrolluar nga opozita, e cila kryeson në qarqet e Shkodrës, Kukësit, Lezhës si dhe Dibrës e cila kaloi në anë e saj mbrëmjen e së hënës.

 

E gjithë pjesa tjetër, në 8 qarqe, për momentin rezulton të jetë fituar nga socialistët që kanë marrë më shumë deputetë.

 

Presidenti Ilir Meta tha sot se ndjehej “i lumtur, që 25 prilli mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit. Tani është koha për të përmbyllur me qetësi dhe në respekt të ligjit procesin zgjedhor dhe më pas të gjithë të reflektojnë deri në shtator, kur krijohen – institucionet e reja, që burojnë nga vota e 25 prillit”, – u shpreh Meta.

 

Socialistët shpallën fitoren të martën në mbrëmje, ndërsa u mblodhën duke festuar në Sheshin Skënderbej.

 

Për kryetarin socialist Rama “kjo ishte fitorja më e vështirë, më e madhja dhe më e bukura e Partinë Socialiste”, ndërsa ju drejtua kryetarit demokrat Lulzim Basha që të pranonte “humbjen me dinjitet dhe bindjen se nuk bëre dot çfarë deshe, por bëre gjithë sa munde”.

 

Rama i kushtoi më pas pjesën më të madhe të fjalës së tij, nevojës për bashkëpunim mes palëve, për të lënë pas shpine traditën e konfliktit të ashpër politik.

 

“Me apo pa Bashën, ne e kemi të qartë se opozita është PD dhe fitorja jonë e madhe dhe e thellë e bën më të madh detyrimin për t’i shtrirë dorën e një bashkëpunimi të sinqertë pa asnjë kufizim” – tha Rama.

 

Por pak pas tij, përgjigja që erdhi nga kryetari demokrat Lulzim Basha ishte ajo e akuzave të rënda ndaj procesit zgjedhor të 25 Prillit.

 

Bashkimi Europian i kërkoi sot forcave politike shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve.

 

“Çdo parregullsi e pretenduar duhet të sillet me vëmendje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe autoriteteve të tjera kompetente, dhe rastet duhet të hetohen siç duhet, përfshirë blerjen e votës”, saktësonte deklarata e përbashkët e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së Josep Borrell dhe Komisionerit për Zgjerimin Oliver Harvelyi.

 

Mbrëmë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se “Shtetet e Bashkuara presin nga kandidatët dhe udhëheqësit e Shqipërisë që të pranojnë vendimin e votuesve kur të përfundojë numërimi i votave.

 

Basha flet për masakër elektorale, por zëra nga PD kërkojnë largimin e tij

 

Kryetari demokrat Lulzim Basha u shfaq sot në mbrëmje duke denoncuar shkelje të rënda sipas tij të garës zgjedhore. Me në sfond një grup të rinjsh të vendosur në shkallët hyrëse të selisë së Partisë Demokratike dhe i shoqëruar nga një grup kandidatësh për deputetë, që morën pjesë në garën e së dielës, Basha tha se “ne luftuam për demokracinë. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë ne do fitonim dhe do ti kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale”, u shpreh Basha.

 

Kryetari demokrat foli për “dhjetëra mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë dhe dy herë më shumë sesa diferenca mes dy palëve. Miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe industriale të votës duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncesioneve të korruptuara, vodhën të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe median duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale”.

 

Partia Demokratike i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të marrë një kopje të të gjithë dokumentacionit zgjedhor, përfshi dhe pamjet filmike në qendrat e votimit dhe ato në qendrat e numërimit të votive.

 

Basha deklaroi se beteja e tij në mbrojtje të demokracisë nuk do të rreshtë. “Ne do luftojmë për ju! Do luftojmë për qindra mijëra qytetarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk ju numërua vota. Zëri juaj do të dëgjohet qartë dhe fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush dhe para Shqipërisë”, u shpreh ai duke ju drejtuar qytetarëve .

Më shumë

“Non-grata”, Berisha shkon me ‘Foltoren’ në SHBA

Të dielën e 5 dhjetorit ora 12:00 me orën lokale, do të zhvillohet ‘Foltorja’ e ish-kryeministrit Sali Berisha me shqiptarët e Amerikës. Njoftimin e ka bërë publik lideri historik i PD përmes një postimi në Facebook. Organizimi është bërë nga diaspora shqiptare në SHBA.   Takimi do të zhvillohet me video-konferencë njësoj sikur të […]

Dekriminalizim e dorëheqje, si mbetën 6 bashki pa kryetar

Vënia nën akuzë nga SPAK i kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, dhe mënyra se si do t’i rrjedhë përballja me drejtësinë për akuzën e “falsifikimit”, nuk e përjashton mundësinë e ndërprerjes së mandatit të tij.   Por nga ana tjetër, në vend janë gjashtë bashki të cilat nuk e kanë një kryetar të […]

Shtyhet ngritja e komisionit të reformës zgjedhore

Miratimi i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore është tërhequr nga seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.   Vendimi ka ardhur pas kërkesës së kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Alfred Rushaj.   Kjo për faktin se palët ende nuk janë dakordësuar për objektin e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. […]

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë

Kuvendi i Shqipërisë ratifikon konventën me Izraelin për shmangien e taksimit të dyfishtë. Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka prezantuar në Kuvend projektligjin që do të votohet ditën e sotme mbi konventën e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Izraelit.   Sipas saj kjo konventë do të bëjë që çdo shtetas apo biznes që zhvillon […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara