Friday 12 April 2024
Friday 12 April 2024

 

Historia komplekse sesi Kina dhe SHBA u përqafuan njëherë do të duhej të informonte mbi mënyrën se si duhet të përballohet kriza aktuale.  ” Covid-19” është shndërruar në një problem politik dhe argument për t’u grindur, për të dy partitë politike amerikane, por kriza e vërtetë qëndron në faktin se është sfiduar vetë sistemi perëndimor.

Administrata Trump ka lëshuar idenë për të sanksionuar funksionarët kinezë dhe anëtarët e Partisë Komuniste Kineze. Para se të kërkojmë nëse kjo është apo jo një ide e mirë, le të kërkojmë pse marrëdhëniet sino-amerikane arritën në këtë pikë.   Lufta e Ftohtë e SHBA-ve ndaj Bashkimit Sovjetik ishte e përqëndruar rreth ideologjisë, por ngërçi i sotëm me Kinën është i ndryshëm.  Shteti kinez i sotëm nuk ka ideologji, fe apo një program moral. Vazhdon të vishet si socialist, por vetëm si pretekst, për të larë fytyrën. Në fakt, është shndërruar në një diktaturë e kapitalizmit të Shtetit. Ajo çka bota sheh sot është konkurrenca midis sistemit kapitalist amerikan të tregut të lirë dhe sistemit kapitalist shtetëror kinez. Si do të duhet ta lexonim këtë fushë shahu?

Diktatura post Mao në Kinë ka jetuar sipas parimit “ shtyp brenda vendit dhe hapu ndaj botës”. Ka importuar know-how nga jashtë. Janë rreth 360.000 studentët kinezë që aktualisht kanë kaluar nga dyert e hapura të Amerikës. Në 40 vjet, të paktën një milionë kinezë janë kthyer në Kinë dhe kanë dedikuar njohuritë e tyre të reja teknike në strukturat autoritare ekzistuese, të cilat kanë ndërtuar diktaturën. Mund të quhet transferimi më i madh i personelit teknik në histori.

Kur bëra kërkesë për të studiuar në SHBA, në vitet ’80-të, m’u desh të plotësoja një formular në të cilin kërkohej nëse kisha qënë apo isha anëtar i Partisë Komuniste Kineze. Qëllimi i pyetjes ishte ndoshta evitimi i rreziqeve ideologjikë. Por është jashtë çdo dyshimi që ndër studentët kinezë që ishin me mua, shumë syresh ishin anëtarë të partisë dhe i ishin drejtuar shkollave më të mira amerikane e madje edhe me bursa studimi. Amerikanët, përgjithësisht, mendonin se këta studentë do të ndjenin tërheqjen e vlerave liberale dhe më vonë do t’i transferonin ato në Kinë. Ajo çka më së shumti ndodhi është fakti se këta studentë ishin shumë të predispozuar ndaj diferencave kulturore midis të dy vendeve, por edhe për të dalë me përfundimin logjik se vlerat amerikane i shkojnë përshtat Amerikës, por ato nuk do të funksiononin kurrë në sistemin kinez.

Nëse ato shpresa amerikane për eksportimin e vlerave do të ishin realizuar, do të ishtë marrë tashmë pjesa më e madhe e Kinës. Por çfarë ndodhi realisht? Të kthyerit janë tashmë  liderë në shumicën e aferave dhe industrive kineze, por shprehjet antiamerikane  në Kinën e sotme janë të forta siç ishin edhe në Kinën e Maos.

Washingtoni ka pjesën më të madhe të përgjegjësisë për sa ka ndodhur. Në vitet pas masakrës së Tianmenit të vitit 1989, administratat e të dy partive amerikane kanë propaganduar teorinë absurde sipas së cilës, plani më i mirë ishte të lihej Kina që të pasurohej e pastaj të observohej se si zhvillimi dhe demokracia do të evoluonin si nënprodukte të zhvillimit kapitalist. Por a e ka ndryshuar Kinën konkurrenca kapitaliste, kjo makinë e pangopur që mund të përtypë gjithçka? Politika e regjimit nuk ka ndryshuar aspak. Kush ka ndryshuar janë SHBA-të, drejtuesit e të cilave i janë afruar diktaturës kineze me buzëqeshje përulëse. Këtu (në Kinë – shën. i ynë) po rritej një partner komercial i ri: padron i një mbretërie në të cilën nuk ka të drejta pune apo normativa në lëmin e shëndetit apo të sigurisë, asnjë vonesë frustrante për shkak të zënkave midis partive politike, asnjë kritikë nga ana e mediave të lira dhe asnjë rrezik gjykimi në Gjykata të pavarura. Për sipërmarrjet europiane  dhe amerikane, të cilat prodhojnë për eksport, ka qënë një ëndërr që u bë realitet.

Paraja ra si shiu në disa pjesë të Kinës, është e vërtetë, por çmimi ishte hipotekimi i së ardhmes së vendit: shoqëria ra në një kënetë morale, pa asnjë vlerë humane, nga ku është vështirë të dalësh. Ndërkohë, Perëndimi ka ndryshuar ndaj Kinës. Ka heshtur lidhur me vlerat liberale dhe i kanë dhënë një dorë diktaturës e cila, sipas këshillës së Deng Xiaopingut “ mos u përballni” dhe asaj të Jiang Zhe Mingut “ gënje dhe fito një thes me para”, kanë bërë të mundur një rritje ekonomike shumë të shpëjtë.

Biznesi amerikan dhe europian fitoi gjithashtu shumë në fazat e para të boom-it kinez. Dukej se të gjithë ata ishin ulur mbi një poltronë shëtitëse të mbajtur në krahë nga partnerët e tyre kinezë. E ish një udhëtim i bukur  – ajër i pastër, diell i ndritshëm – deri sa arritën në mes të malit. Më pas, krahëmbajtësit i lanë përtokë trarët me të cilët e mbanin mbi supe këtë poltronë dhe kërkuan ndërrimin e turnit. Edhe ata kërkonin të ishin njëlloj si perëndimorët. Ndërroi edhe sinjali nga qendra politike e Kinës, nga “mos u grindni me të huajt” në “grinduni!”. E çmund të bëjnë tani kapitalistët perëndimorë? Të kthehen mbrapsht? Nuk dinë as rrugën e kthimit.

Covid-19 i ka shtyrë amerikanët për t’u ndërgjegjësuar mbi krizën që duhet të përballojnë. Sëmundja është shndërruar në një çështje politike dhe shkas zënkash midis dy partive politike amerikane, por kriza e vërtetë qëndron në faktin se është sfiduar vetë sistemi perëndimor. Modeli amerikan u duket të tjerëve si një përzjerje burokratike interesash  konkuruesë të cilëve u mungon largpamja dhe aspirata historike, që lë pasdore idealet dhe bazohet vetëm në pragmatizmin afatshkurtër e që më në fund është peng i kapitalit të sipërmarrjes.

A janë sanksionet rruga e duhur?

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtëme në Pekin ka nënvizuar së fundmi faktin që “SHBA dhe Kina janë aq të lidhur ekonomikisht saqë sanksionet mund të quhen edhe autosanksione. SHBA nuk do të mund të ishin të aftë sa Kina për të përballuar vuajtje”. Dhe kishte të drejtë: në diktaturë, sakrificat nuk përballohen nga qeveritarët. Në vitet ’60, Mao tha: “Do të na lini mënjanë? Bëjeni!, Sa do të zgjasë, tetë apo dhjetë vjet? Kina ka gjithçka i duhet”. Pak vite më vonë, Mao kishte në dispozicion bombën atomike dhe nuk kishte më frikë nga askush.

Perëndimi ka nevojë të rikonsiderojë sistemet e tij, perspektivat e tij politike dhe kulturore dhe të rizbulojë humanizmin e tij. Këto sfida nuk janë vetëm politike, por edhe intelektuale. Është koha të lihet pas mendimi i vjetër dhe fjalori që e kontrollon atë. Pa një fjalor të ri nuk mund të lindë një mendim i ri.

Në luftën që po ndodh në Hong Kong, fjala vjen, teoria është e thjeshtë dhe besimi është i pastër. Gjenerata e re politike e Hong Kongut meriton një respekt të veçantë nga ana e Perëndimit dhe një fjalor të ri për t’i folur.

“Sanksione” është një term i Luftës së Ftohtë që identifikon politikën e vjetër. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk arrijnë të mendojnë më tej vetes, primati i pozicionit të tyre në këtë botë që po ndryshon do të zhbëhet.

Ai WeiWei  – artist, aktivist dhe mendimtar opozitar kinez, një nga të paktët zëra të Kinës së sotme që del hapur kundër regjimit diktatorial të Pekinit. Artikulli është marrë nga “The Guardian” dhe u përkthye në shqip nga anglishtja. 

 

Më shumë

Duke shpresuar se Omicron nuk do të shkatërrojë Krishtlindjet, Betlehemi ndez dritat e pemës

BETHLEHEM, Bregu Perëndimor, 4 dhjetor (Reuters) – Banorët ndezën një pemë gjigante të Krishtlindjeve jashtë Kishës së Lindjes së Betlehemit të shtunën, duke shpresuar që një variant i ri i koronavirusit të mos prishë një sezon tjetër pushimi në vendlindjen tradicionale të Jezusit. Betlehemi u mbyll vetëm Krishtlindjet e kaluara, duke humbur sezonin […]

Zgjerimi i ndikimit turk rrit tensionet me Iranin

Arrestimi i agjentëve iranianë në Turqi muajin e kaluar, thonë analistët, është shenja më e fundit e rritjes së tensioneve midis dy fqinjëve. Kjo po ndodh ndërsa Turqia po zgjeron ndikimin e saj në rajonin e Kaukazit në dëm të Iranit.   Forcat turke të sigurisë arrestuan agjentët iranianë për të cilët Turqia […]

Energjia atomike energji e gjelbër?

Gjermania dhe disa shtete të BE kundërshtojnë kategorizimin e energjisë atomike si energji të gjelbër. Por shumica e vendeve të BE e mbështet këtë, mes tyre edhe Franca.     Gjermania dhe katër shtete të tjera e kundërshtuan hapur në Glasgou, ku përfundoi Konferenca Botërore për Klimën, kategorizimin e energjisë atomike si energji të […]

Izraeli mohon akuzat për spiunazh në Turqi

Izraeli është angazhuar për lirimin e një çifti izraelit të cilët janë dërguar në mbajtje nga ana e autoriteteve turke, tha kryeministri izraelit, Naftali Bennett.   Media shtetërore turke ka thënë se izraelitët e ndaluar ishin spiunë.   Kryeministri Bennett tha përmes një deklarate se ai ka biseduar me familjen e dy izraelitëve, […]

  • © 2017 Albanian Profile Të gjitha të drejtat e rezervuara